Читать книгу Bullizmi Kibernetik - Juan Moisés De La Serna, Dr. Juan Moisés De La Serna, Paul Valent - Страница 7

Kapitulli 1. HYRJE NË BULLIZMIN KIBERNETIK

Оглавление

Natyrisht që duhet të keni dëgjuar nga mjete të ndryshme komunikimi që gjithmonë e më shumë të rinjtë po përfshihen në raste bullizmi përmes mediave dixhitale, për shkak të përdorimit tejet të lartë të këtyre mediave dhe sidomos të anonimatit që ofron rrjeti dixhital.

Bullizmi kibernetik konsiston në një akt poshtërimi, shantazhi apo edhe presioni që kryen një palë, e përbërë nga një apo shumë persona, ndaj një pale tjetër. Kjo gjë mund të ndodhë atëherë kur ata konsiderohen si “të ndryshëm”, për shembull nëse janë më të gjatë, më të shëndoshë në trup, apo nëse janë tifozë të një skuadre të caktuar futbolli…

Duke kqyrur rezultatet që na ofron Google në lidhje me tendencat e kërkimit për termin Bullizmi kibernetik, në të gjitha kuptimet e ndryshme që mbart ky term në mbarë botën nga 2004 deri në 2017-ën, mund të vihet re se vendin e parë me më shumë raste shqetësuese e zënë Filipinet, e ndjekur më pas nga Australia dhe Zelanda e Re. Shtetet e Bashkuara të Amerikës zënë vendin e shtatë ndërsa Spanja vendin e tridhjetë e gjashtë nga 45 vende që shfaqen në rezultatet e kërkimit në Google. Vendin e fundit në renditje e zë Turqia.

Ky rezultat nuk pasqyron numrin e rasteve të Bullizmit kibernetik që hasen për ҫdo vend, por faktin sesa herë ky term është kërkuar në internet. Në realitet mund të ekzistojë një vend në të cilin hasen pak raste të Bullizmit kibernetik por popullata e atij vendi disponon njëfarë ndjeshmërie mbi këtë fenomen dhe si rrjedhojë në Google do të bëhen shumë kërkime mbi këtë term.

Në rastin e kundërt, mund të ekzistojë një vend ku Bullizmi kibernetik është institucionalizuar por ekziston një ndërgjegjësim i pakët në lidhje me këtë fenomen dhe si rrjedhojë në Google nuk bëhen shumë kërkime mbi një term të tillë.

Është për t’u theksuar, se midis dhjetë vendeve të para që bëjnë kërkime mbi këtë term në Google, pesë prej tyre janë vende të ashtuquajtura të botës së parë, dhe konkretisht janë Australia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja.

Madje vihet re edhe sesi është rritur dukshëm, në nivel global, përdorimi i këtij termi me kalimin e viteve, duke rezultuar në një rritje prej 65% të kërkimeve të kryera në vitin 2017 krahasuar me vitin 2004.

Duke bërë një analizë globale të ecurisë së kërkimit në Google në aspektin sezonal, mund të vihet në dukje se gjatë muajve të vjeshtës si shtatori dhe tetori kryhen më shumë kërkime në lidhje me fenomenin e Bullizmit kibernetik; ndërsa në muajt e pushimeve të verës e të dimrit si korriku dhe gushti, apo dhjetori dhe janari, kryhen më pak kërkime.

Raportohen edhe raste të Bullizmit kibernetik me përmbajtje seksuale, por kjo gjë nuk është ekskluzive. Në shumë raste përmbajtja me natyrë seksuale nuk është synimi final i abuzuesit, por përdoret gjithmonë me qëllimin për të poshtëruar dhe shantazhuar viktimën.

<<Ҫfarë është Bullizmi kibernetik?

Bullizmi kibernetik është një formë keqtrajtimi dhe abuzimi që ndodh midis fëmijëve në moshën shkollore, karakterizohet nga përdorimi i komunikimit në hapësirën kibernetike për të realizuar përjashtimin total të viktimës nga grupet me të cilët bashkëjeton në shkollë.>>

Dr. Abel González García, Drejtor i Departamentit të Kriminologjisë, U.D.I.M.A. (Universiteti në Distancë i Madridit)

Është e pritshme që në të ardhmen, gradualisht me zhvillimin e teknologjisë dhe përhapjen e saj në shkallë më të lartë, e njëjta gjë do ndodhë edhe me avantazhet dhe disavantazhet nga përdorimi dhe keqpërdorimi i saj, duke përfshirë këtu mes të tjerash edhe Bullizmin kibernetik. Gjithsesi mbetet akoma shumë për të hulumtuar në këtë drejtim, edhe pse, në shumë raste, minoreni ndaj të cilit apo së cilës ushtrohet bullizëm, nuk e denoncon abuzuesin për vetë faktin se është i shantazhuar.

Pavarësisht situatës që karakterizohet nga skepticizmi dhe pasiguria, disa prej shteteve kanë miratuar dhe zbatuar masa për parandalimin e efekteve të dëmshme për shëndetin, duke marrë parasysh se në disa raste minoreni apo minorenia arrin deri në vetëvrasje si pasojë e dëshpërimit duke mos ditur se si të dalë nga një situatë e tillë.

<< A është rritur Bullizmi kibernetik vitet e fundit?

Vitet e fundit në fakt duket se po vihet re një rritje e fenomenit të Bullizmit kibernetik si pasojë e një intensifikimi të përdorimit të mjeteve të komunikimit në internet, dhe sidomos i rrjeteve sociale (Twitter, Facebook, Ask.fm, WhatsApp, etj.).

Ditët e sotme gati 100% e fëmijëve të moshës 10-11 vjeҫ e lart përdorin rregullisht një lloj mjeti të teknologjisë.

Gjithashtu, në mënyrë logjike, agresioni po zhvendoset në drejtim të kësaj lloj marrëdhënieje pasi është më e lehtë kryerja deri në fund e këtyre veprimeve.>>

Dr. Abel González García, Drejtor i Departamentit të Kriminologjisë, U.D.I.M.A.

Bëhet fjalë për një problem shumë aktual, për të cilin flitet menjëherë në mjetet e komunikimit; vetëm kur një polic arreston një agresor që vepron në internet ose kur viktimat e bullizmit kryejnë vetëvrasje. Vetëm në raste të tilla ekstreme bëhet evident ky lloj fenomeni, që vitet e fundit po agravon gjithnjë e më tepër.

Një fenomen rreth të cilit as prindërit as mësuesit siҫ duket, nuk janë të përgatitur sa duhet, nuk janë në gjendje të kapin shenjat e para tek viktima që pëson bullizëm, dhe nuk dinë si të reagojnë ashtu siҫ duhet për ta eleminuar fenomenin.

Në këtë kuadër disa shtete kanë vënë në zbatim politika për mbrojtjen e minorenëve dhe për parandalimin e Bullizmit kibernetik, pikërisht në përpjekje të frenimit të përhapjes në shkallë të gjerë të këtij fenomeni që me sa duket është bërë i kohës.

Bullizmi Kibernetik

Подняться наверх