Читать книгу Një Flluskë Jashtë Kohe - Andrea Calo' - Страница 7

Оглавление

KAPITULLI 2

Qyteti i Portlandit ishte i mbuluar nga dëbora, që kishte rënë me bollëk një natë më parë. E kisha dëgjuar lajmin në televizion, por e kisha nënvlerësuar problemin, duke e konsideruar pa interes për mua. Nëpërmjet vetratave të aeroportit shiheshin male me dëborë të akullt të shpërndara përgjatë anëve të pistave, ishte dëbora që ishte hequr nga pastruesit e dëborës për të lejuar funksionimin normal të aeroportit, një nga të paktët të përfshirë në listën e atyre që garantojnë një efikasitet të shkëlqyer në të gjitha Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pyesja veten nëse rrugët do të kishin qenë po aq të pastra ose nëse rreziku i pranisë së akullit në lidhjet kryesore do mund të kishte komprometuar seriozisht qarkullimin e automjeteve. Sapo pashë të vinte valixhja ime e transportuar nga rripi i bagazheve të sapo shkarkuara nga depua e aeroplanit, pashë orën e dorës: nëntë e darkës, ishim me vonesë. Përshpejtova hapin, drejtuar tek banaku i informacionit, ku gjeta shumë njerëz që, si unë duhej të drejtoheshin në ndonjë vend. Nëpunësja, një grua e shëndoshë dhe grindavece në të pesëdhjetat, thoshte me zë të lartë se linjat e jashtme të autobusëve kishin ndaluar për shkak të motit të keq dhe të gjitha rrugët në distanca të gjata ishin anuluar dhe shtyrë për në mëngjesin tjetër, ndërsa me gjeste të shpejta të dorës mimonte rënien e dëborës dhe praninë e fletëve të akullit nëpër rrugë. Njerëzit ishin të inatosur dhe shumë burra tregonin forcën e tyre duke goditur grushtat në banak, duke akuzuar gruan e shkretë për paaftësi. Edhe pse nuk shkëlqente në simpati, ajo grua nuk kishte asnjë faj. Sapo turma u tret, u afrova në banak.

«Më thoni!», bërtiti gruaja tashmë e dërrmuar.

«Mirëmbrëma, nuk jam këtu për t’ju kërkuar të njëjtat gjëra që ju kanë kërkuar të gjithë, e kam dëgjuar përgjigjen tashmë. E kuptova që sonte nuk nisemi. Doja t’ju pyesja nëse mund të më tregonit ndonjë vend ku mund të kaloj natën, këtu në aeroport ose në qytet».

Gruaja u qetësua.

«Më vjen keq zonjë por, fatkeqësisht vendet e pakta të disponueshme tashmë janë zënë të gjitha. Siç mund ta imagjinoni, në këto situata mbarojnë shpejt. Mund të shkoni në qendër të qytetit, ku me siguri do të gjeni dhomë në hotel. Për ku jeni drejtuar?»

«Në Wallowa», u përgjigja.

«Mirë. Autobuzi për në Wallowa niset nga kalata e pestë, që e gjen pikërisht këtu jashtë, nesër në mëngjes në tetë. Rruga është mjaft e gjatë, do të duhen rreth tetë orë».

«Shtatë orë replikova», duke i treguar llogaritjet e bëra nga kompiuteri gjatë simulimit të udhëtimit.

«Tetë orë pra», ngulmoi gruaja, «edhe pse do jetë e mundur të udhëtohet, mos prisni që autobusi të mund të vazhdojë me të njëjtën shpejtësi ose pa pengesa. Akulli nuk shkrihet aq lehtë dhe kripa nuk bën mrekulli në këto situata. Dëborë ka rënë vërtet shumë. Të jeni këtu nesër në mëngjes, pak para orës tetë. Nëse keni nevojë për një taksi, i gjeni në daljen e terminalit, në të djathtë. Rrugë të mbarë, zonjë», përfundoi duke më dhuruar një buzëqeshje të fikur.

«Nëse zonja më lejon, mund ta shoqëroj unë në qytet», dëgjova të shqiptohej qartazi nga një zë që vinte nga shpatullat e mia. U ktheva dhe gjeta para syve një burrë. Kishte pamje të mirë, me flokë gështenjë me sy jeshilë, kishte një prerje flokësh të kuruar mirë dhe që lejonte të shihej aty-këtu ndonjë njollë gri. Ishte pa mjekër, por mbante me krenari mustaqe. Tregonte nja dyzet vjeç dhe për mënyrën se si ishte veshur, duhej të ishte një biznesmen, një person që luante ndonjë rol të rëndësishëm në një kompani apo diçka e tillë. Mbante të varur në një krah pallton e tij të gjatë, ndërsa me dorën tjetër zvarriste një valixhe me rrota mjaft të vogël. Më fiksonte në sy më pak se një metër larg, ndërsa priste nga unë një përgjigje, një shenjë jete.«Jeni shumë i sjellshëm. Por unë nuk ju njoh, ju kërkoj falje, nuk pranoj kurrë pasazhe nga të panjohurit. Dhe tani nëse më lejoni, do të doja të shkoja», iu përgjigja ndërsa papritur u ktheva përsëri drejt banakut të informacionit, duke u shtirur sikur po kërkoja diçka brenda çantës sime. Ndjeja praninë e tij prapa meje, ndoshta duhej të kisha përdorur mënyra pak më të sjellshme, por vërtet që nuk mundesha. Ndihesha në një siklet të madh. U ktheva sërish dhe e pashë në sy.«Jua përsëris, nuk ju njoh. Nuk është për shkak të mungesës së besimit ndaj jush, por me të vërtetë nuk mendoj se është rasti të largohem nga ky terminal me ju, më falni», vazhdova, duke menduar kështu të mbyllja më në fund dialogun me atë njeri që nuk e kisha parë kurrë më parë. Edhe pse nga një anë më vinte keq, i kujtova vetes se nuk isha me pushime.

«Nëse kjo mund t’ju ndihmojë, po prezantohem. Emri im është John. John Beal», tha duke më zgjatur dorën. U ndjeva e detyruar të replikoj, të shpalos faktet e mia në një tavolinë me fytyrë zbuluar. Një gjë që nuk do kisha dashur kurrë në një qytet ose ndaj njerëzve plotësisht të huaj për mua.

«Katherine Fortuna», u përgjigja pa e parë në sy, ndërsa sistemoja portofolin në xhepin e brendshëm të çantës sime.

«Fortuna? Është një mbiemër italian, nëse nuk gaboj», tha i habitur dhe me një shprehje budallai në fytyrë.

«Po, Fortuna është një mbiemër italian», replikova, e bezdisur dukshëm nga këmbëngulja e tij që donte të vazhdonte me çdo kusht një bisedë që unë e quaja tashmë të përfunduar apriori.

«Mund të insistoj t’ju ofroj një pasazh atëherë, Katherine?». Këmbëngulte. Po filloja mos ta duroja dot më. Sidoqoftë, një pasazh do më kishte bërë vërtet punë në atë mbrëmje të akullt dimërore.

«Sa larg është nga këtu?», pyeta gjithmonë e më shumë e vrazhdë.

«Një gjysmë ore, do të thoja, duke parë kushtet e rrugëve. Makina ime është e parkuar këtu jashtë, ejani me mua, më ndiqni. Ndërkohë, mbulohuni mirë, jashtë bën shumë ftohtë», u përgjigj ndërsa vishte pallton e tij të gjatë mbi xhaketën elegante gri që, kuptova, fshihte gjithashtu një kravatë të bukur, të kuqe, të lidhur mirë nën jakën e një këmishe të bardhë. U ofrua të merrte valixhen time dhe e tërhoqi pas vetes. Ndoqa këshillën e tij dhe vesha xhakaventon që kisha lidhur rreth belit para se të zbrisja nga avioni. Në sytë e tij si i zoti i shtëpisë duhet të jem dukur një provinciale e shkretë dhe e paaftë. Vazhdonte me hap të sigurt, hapat e tij ishin aq të gjata saqë po lodhesha ta arrija. Fillova të ndieja dihatje në frymën time dhe zemrën që më rrihte fort, kështu që ndalova papritmas.

«Dëgjoni John “filani” apo si dreqin quheni. Keni ndërmend të bëni një maratonë? Një garë? Nëse është kështu ma thoni, të paktën të ndërroj këpucët dhe të bëhem gati!». Ai u kthye me një kthesë elegante dhe të saktë të qafës dhe më buzëqeshi.

«Keni të drejtë Katherine, më falni. Është zakoni im i pafalshëm. Unë vrapoj gjithmonë. Ju lutem, merrni frymë. Merrni gjithë kohën që ju duhet, pastaj do vazhdojmë më me ngadalë».

Ishte një burrë elegant, nuk kishte hije dyshimi. Nuk doja të dukesha si një vajzë e shkretë tekanjoze, kështu u përgjigja thjesht se mund të ecnim përpara. Në atë moment isha unë që përshpejtova hapin dhe e lashë atë pas meje.

«Ju e parë nga prapa jeni po aq e këndshme, e dini? Kush e di nga sa burra do e keni dëgjuar tashmë t’jua thonë!».

M’u skuqën faqet, ndjeva një nxehtësi të pamundur të më shpërthente në veshë, u inatosa.

«Por si guxoni? Pa dëgjo këtë! Më patë vetëm pesë minuta më parë për herë të parë dhe tashmë e lejoni veten të shprehni konsideratat tuaja personale për personin tim. Kush jua dha gjithë këtë besim? Mos i lejoni kurrë më vetes liri të tilla, John Beal!». Isha e tërbuar si një dem përballë një çarçafi ngjyrë të kuqe gjak, por në zemrën time ndihesha edhe e kënaqur që isha vënë re për diçka fizike. Edhe pse nuk do t’ia kisha thënë kurrë, më pëlqente pafytyrësia e treguar nga ai burrë.

«Shumë mirë zonjushë, shikoj që e mbani mend mirë emrin tim të plotë! Mund të shkojmë tani?».

«Po, shkojmë. Është më mirë!».

I ftohti ishte me të vërtetë shpues jashtë terminalit. Për fat të mirë nuk kishte shumë lagështi në ajër, gjë që e bënte të durueshme temperaturën. Zgjata hapin për të ndjekur burrin dhe menjëherë rrëshqita. Nuk kisha këpucët e duhura dhe asfalti ishte i mbuluar me njolla nga copa të holla akulli.

«Ju lutem, ndaloni këtu!». John u kthye duke shfyrë, duke pyetur veten për arsyen e kërkesës sime, por menjëherë e kuptoi.

«Keni probleme me këpucët, apo jo? Para se të niseshit nuk u interesuat mbi kushtet meteorologjike? Të gjithë e dinin për stuhinë e dëborës në Portland. Në rregull, është e kotë të flasim për këtë tani. Keni këpucë më të rehatshme me vete?».

«Në valixhe, por do më duhej të nxirrja jashtë të gjitha rrobat këtu në mes të rrugës, do më duhej shumë kohë dhe nuk kam aspak dëshirë. Do përpiqem të kem kujdes», e sigurova.

«Përndryshe mund t’ju mbaj në krahë, nëse dëshironi. Si thoni Katherine?». Ishte i paturp, por edhe i sjellshëm. Sidoqoftë atë mbrëmje gjendja ime shpirtërore nuk më lejonte të shprehja asnjë ndjenjë mirësie.

«Ose mund të shkoni të merrni makinën tuaj ndërsa unë po ju pres këtu, me valixhen time. Si thoni zoti Beal?», replikova me të njëjtën paturpësi.

«Do të vij shpejt. Ndërkohë, kujdesuni të mos merrni të ftohtë, përndryshe pushimet tuaja në Wallowa do t’i kaloni në shtrat me temperaturë». Eci drejt makinës së tij pa u kthyer, duke kaluar rreshtat e makinave dhe pick-up-et parkuar në sipërfaqen e madhe. Mendova se ndoshta nuk po bëja gjënë e duhur, kisha patur pak përvoja me meshkujt dhe të gjitha të përfunduara keq. Më kishin bërë të vuaj, asnjë nuk kishte arritur të më pranonte për atë që jam. E ndoqa John-in me shikim derisa nuk arrita më ta shihja dhe në atë moment fillova të frikësohem se nuk do ta shihja kurrë më. Ndoshta imazhi i John-it ishte vetëm një projeksion i jetës sime të kaluar, domethënë joreal. Kisha pranuar një pasazh nga një fantazmë? U drithërova nga ideja. Shikoja kudo njerëz rreth meje që hynin dhe dilnin nga Terminali ndërsa bisedonin dhe buzëqeshnin. Disa diskutonin me gjallëri midis tyre, por të paktën nuk ishin të vetmuar, të braktisur në veten e tyre, siç ndihesha unë. Mbylla xhaketën mirë dhe mbështolla rreth qafës një shall që kisha futur më parë në çantë. Nuk kisha qenë plotësisht e papërgatitur, mesa duket. Pastaj shkretëtira. Llampa e madhe që ndodhej pikërisht përpara meje reflektonte dritën e saj në dëborë, duke e bërë të shkëlqejë sikur të ishte pluhur diamanti. Mendova se sa shumë i pëlqeja kur isha e vogël gjërat që shkëlqenin, i thoja nënës sime se kur të rritesha do kisha dashur të kisha shumë stoli të çmuara. “Sigurisht që do kesh shumë”, më përgjigjej gjithmonë, ndërsa përkëdhelte flokët e mi të gjatë, të zinj.

Në fund të rrugës pashë dy fenerët e një makine që largoheshin gjithnjë e më shumë mes tyre, ndërsa automjeti afrohej. Ishte një pick-up dhe brenda ishte John që e ngiste. Nuk e imagjinon sa e kënaqur jam që po të shoh përsëri në këtë moment, mendova me vete, ndërsa John zbriste nga makina për të ngarkuar sipër valixhen time. Vetëm në atë moment vura re se kishte lënë atje me mua edhe të tijën, më parë nuk e kisha kuptuar, e zhytur siç isha në mendimet e mia. Ai më kishte besuar, më shumë sesa kisha bërë unë në lidhje me të. Do doja t’i thoja faleminderit, por buzët e mia nuk arritën t’i jepnin shtytje instinktit tim, duke mbetur të ngjitura midis tyre. Hipa në makinë ndërsa John po rregullonte bagazhet tona.

«A ju pëlqen temperatura e ajrit, Katherine?».

«Është mirë, e dua të ngrohtën, mos u shqetësoni», arrita të thoja, edhe një herë pa falënderuar. Përse e kisha kaq të vështirë ta bëja? Ç’farë nuk funksiononte tek unë?

«Ky atëherë nuk është vendi i përshtatshëm për ju, nëse jo në kohë të caktuara të vitit», thërriti duke buzëqeshur, «këtu bën goxha ftohtë. Nisemi?». Dakordësova vetëm me një lëvizje të kokës.

Vuri në lëvizje makinën dhe përparuam me ngadalë drejt daljes së aeroportit, pa folur. Edhe pse John ishte sjellë në atë mënyrë aq të sjellshme në lidhje me mua, më shikonte dhe buzëqeshte, unë nuk arrija akoma t’ia ktheja.

Një Flluskë Jashtë Kohe

Подняться наверх