Читать книгу Një Flluskë Jashtë Kohe - Andrea Calo' - Страница 8
ОглавлениеKAPITULLI 3
Notat e këngës ‘Strangers in the night’ të Frank Sinatra-s zbusnin heshtjen e zbrazët të lënë nga zërat tanë. Në çdo kryqëzim me semfor të kuq, John më shikonte dhe çdo herë dukej sikur donte të më bënte pyetje. Unë kisha frikë se do më bëhej ajo që do kishte qenë pyetja më e vështirë për t’u përgjigjur. Sjellja ime josociale dhe pak e respektueshme ndaj tij, që më kishte mbrojtur në një farë mënyre deri në atë moment, nuk zgjati shumë.
«Ç’farë ju solli këtu Katherine?», pyeti ndërsa ia hidhte shikimin rrugës. Meqenëse nuk kisha pse të këmbeja shikimin e tij me timin dhe meqënëse pyetja nuk ishte aq kompromentuese, mendova se mund të jepja edhe një përgjigje të paqartë dhe ai nuk do t’i jepte shumë rëndësi. Gabohesha.
«Doja të ndryshoja ajrin, të bëja një udhëtim nga këto anë të pavizituara kurrë në jetën time. Më kanë folur shumë mirë miqtë e mi në New York».
«Nuk besoj të jetë vetëm kjo, nëse më lejoni», u përgjigj. Nuk e kisha bindur aspak, ishte më se e dukshme. Në fund të fundit kurrë nuk kisha treguar se kisha cilësi të lindura aktoreje dhe gënjeshtra nuk ka qenë kurrë me të vërtetë pika ime e fortë. Megjithatë, si gjithmonë, nuk isha e gatshme të hiqja dorë duke pasur parasysh kokëfortësinë time, ndoshta veçoria ime e vërtetë dhe unike.
«Po ju ç’farë dini? Një grua nuk mund të vendosë në një moment të mbyllë shtëpinë dhe të bëjë një udhëtim të bukur? Mendoni se më njihni aq mirë? Nuk dini asgjë për mua, në fund të fundit, apo jo Beal?».
«Unë them thjesht që nuk është vetëm kjo. Ju nuk jeni një grua e qetë në këtë moment, tregoni frikë ndaj diçkaje, jepni idenë e të ndodhurit këtu në kërkim të diçkaje që keni frikë mos nuk e gjeni ose, përkundrazi, të mbeteni e tronditur në rast se do gjeni atë që kërkoni. Një grua që ikën nga ose drejt diçkaje. Pikërisht kjo, ju dukeni një grua që po ikën nga diçka me këmbët zdrënkthi. Sidoqoftë, ju kërkoj falje, këto nuk janë punët e mia dhe për këtë keni të gjitha arsyet e botës, më falni».
Ramë në heshtje, një memecëri e sikletshme. Më bezdiste që John kishte gjithë atë respekt për mua, për mendimet e mia dhe për privatësinë time. Mendova se të përpiqesha ta njihja pak ndoshta nuk do të më shkaktonte probleme. Ndoshta do mund ta falënderoja në fund të udhëtimit tonë.
«Dhe ju pse jeni këtu John? Jetoni në Portland?». Menjëherë mendova se, me sjelljen time, ai mund të prekej nga pyetja ime. Pse vallë ai mund të bëj pyetje dhe unë jo? «Sigurisht, jeni i lirë të mos përgjigjeni nëse nuk e mendoni të përshtatshme». John më pa dhe duke bërë një buzëqeshje goditi në shenjë.
«Pse vallë duhet të sillem si ju Katherine?». Shpërtheu në të qeshura ndërsa më shikonte të përkulja kokën për t’u mbrojtur nga shikimi i tij. U solla si një fëmijë që sapo e kishin qortuar.
«Në Portland jeton ende nëna ime. U zhvendosëm këtu pak pas vdekjes së babait tim, më parë jetonim në Joseph, pikërisht atje ku ju jeni drejtuar, në Wallowa. E njoh mirë zonën, për këtë arsye pak më parë po ju paralajmëroja për kushtet e vështira atmosferike».
«Dhe përveç zisë për vdekjen e babait tuaj, përse vallë keni vendosur të zhvendoseni në Portland?».
«Të them të drejtën nuk bëhej fjalë për një transferim, po më tepër një kthim. Nëna ime ka lindur dhe jetuar në periferi të qytetit. Duke mos pasur më asnjë lidhje me Wallowan, vendosi të kthehet këtu. Unë e pasova, edhe pse kisha atëherë një punë të mirë në Joseph. I lashë të gjitha, përgatita çantat dhe erdha të qëndroja këtu me të. Tani, mbi shtatëdhjetë vjeç, ka nevojë për mua më shumë se kurrë. Ajo është ende një grua e pavarur pavarësisht nga mosha e saj, por siç mund ta imagjinoni, po fillon të ketë vështirësi serioze në aspekte të ndryshme të jetës së përditshme. Ndonjëherë ka momente të errëta në mendjen e saj, gjatë të cilave nuk kujton as emrin e saj ose fytyrën time. Për fat të mirë janë ende momente të rralla dhe të shkurtra, por që e detyrojnë të mbetet e mbyllur në shtëpi. Ajo ka qenë gjithmonë një grua shumë dinamike dhe ky kufizim është për të si një dënim me burg. Ka një kujdestare që kujdeset për të».
«Ishit në aeroport John. Nga po vinit?», pyeta ndoshta duke guxuar shumë.
«Unë isha me ju në avion, Katherine, po vij edhe unë nga New York-u. Shkova në qytet për të marrë pjesë në një konventë, unë isha folësi».
«Nuk ju vura re John».
«Të them të drejtën nuk mund të më vërenit, e zhytur siç ishit në mendimet tuaja. Gjatë fluturimit pastaj, menjëherë pas ngritjes, ju zuri gjumi. Ndërsa unë ju vura re menjëherë. Ju jeni një grua që nuk mund të mos viheni re, duhet ta dini këtë». John fliste me sinqeritet dhe pa pengesa, me buzëqeshjen e tij vazhdimisht të shtypur në fytyrë dhe një elegancë që rrallë kisha parë më parë tek një burrë. E pashë atë dhe ndoshta u skuqa pak. Po, kam qenë gjithmonë një grua e bukur. Im atë e mbështeste këtë mendim që kur isha fëmijë, ndërsa nëna ime ishte e shqetësuar më shumë për aspekte të tjera të jetës sime, që e bënin ta vinte argumentin ‘bukuri’ në plan të dytë. Shumë herë e kam dëgjuar të thënë prej meshkujve, deri në pikën ku arrita të bindem. Por isha, shumë më tepër, në trupin tim të mëparshëm. Isha një grua elegante, me një bukuri të rafinuar, pothuajse të rrallë. Por këtë unë nuk mund t’ia thosha John-it. Të paktën ende jo.
«Ju falënderoj John…», tunda kokën me ndrojtje.
«Edhe shkëmbi shkulet kur tregon se ka një zemër! Është e vërtetë atëherë!», tha me ton të sigurt.
«Ç’farë doni të thoni me këto fjalë?»
«Ju sapo më falënderuat, Katherine. Nuk e vutë re? Apo ndoshta gabohem?», tha, duke më shkelur syrin në shenjë bashkëfajësie. Unë buzëqesha dhe pohova vetëm me një shenjë të kokës, çdo fjalë tjetër do të kishte qenë plotësisht e tepërt dhe jashtë vendi në atë moment.
«Më duhet t’ju kërkoj falje, John. Më falni për sjelljen time të ashpër ndaj jush. Ju jeni kaq i sjellshëm me mua dhe unë jua ktheva vetëm duke ju trajtuar mjaft keq. Kam qenë pak e sjellshme».
«Do t’i pranoja justifikimet tuaja, por vetëm me një kusht! Duhet të më jepni kënaqësinë të ha mëngjes me ju nesër në mëngjes, si thoni?». Nuk dija si të përgjigjesha, isha në siklet. Pastaj më erdhi në mendje se mëngjesin e ardhshëm do të duhej të merrja autobusin për në Wallowa.
«Do ta pranoja me kënaqësi John, por nesër në mëngjes duhet të kthehem në aeroport shumë herët për të marrë autobusin për në Wallowa. Ndryshe nuk do arrija në kohë», u përgjigja.
«Nuk keni nevojë Katherine. Do t’ju çoj unë në Wallowa nëse do doni të më nderoni me shoqërinë tuaj të këndshme».
«Jo John, ju kam shqetësuar shumë tashmë. Nuk do guxoja kurrë t’ju bëja të humbisnit kohë të çmuar për të më shoqëruar deri atje, është shumë larg».
«Një gjë që nuk arrita në kohë t’jua thoja në historinë time është se unë ende punoj në Wallowa».
«Ç’farë thoni? Jeni larguar përsëri nga Portland, kështu?», pyeta, e befasuar.
«Po. Këtu nuk ndihesha në shtëpi. Nëse nuk do të kishte qenë për nënën time, nuk do të isha kthyer asnjëherë», u përgjigj, «Nuk gjeta asnjë punë që të më kënaqte si ajo që kisha në Joseph. Më pas fola me nënën time dhe i komunikova se do të kthehesha në Wallowa. Do të shkoja ta takoja shpesh. Mund ta bëja sepse në ato vite kurrë nuk kishte treguar shenja vithisjeje, mund të rrija i qetë. Pas një hezitimi të parë fillestar, pranoi zgjedhjen time dhe më la të shkoj. U ktheva në Wallowa, në Joseph. Fatmirësisht, nuk kishin gjetur një zëvendësues në postin tim të punës dhe unë u rifuta në organikë. Jetoj në një shtëpi jo shumë larg punës sime, nuk mund të isha më mirë se kaq».
«Jeni i martuar? Keni fëmijë?»
«Jam i divorcuar dhe nuk kam fëmijë». Po më hapej plotësisht, çdo pyetje e imja gjente menjëherë një përgjigje. Mund t’i kisha kërkuar çdo gjë dhe ai do të më ishte përgjigjur pa probleme. Unë nuk do ta kisha bërë kurrë. Si mund të jesh kaq transparent ndaj një plotësisht të huaji? Ai dhe unë ishim dy njerëz shumë të ndryshëm në shikim të parë.
«Më falni John, nuk do doja t’ju kujtoja me pyetjet e mia mendime apo ndjenja për ju të dhimbshme»
«Absolutisht jo Katherine. Gruaja ime dhe unë jemi ende në raporte të mira. Ishte shuar ajo dashuri që na kishte bashkuar më parë, kjo është e gjitha. Nuk vazhdohet në një marrëdhënie nëse nuk ka dashuri, apo jo?». E drejtë, mendova. Shumë e drejtë. Përvojat e mia të kaluara në këtë drejtim nuk mund të konfirmojnë veçse atë që ai tha. Nuk isha lënë kurrë nga një burrë, kisha qenë gjithmonë unë që kisha bërë hapin e parë. Nuk e njihja gjendjen shpirtërore në të cilën ndodhesh kur është tjetri që të thotë se morri fund, atë ndjenjë refuzimi të justifikuar me arsyet më të ndryshme. Ndonjëherë justifikohemi duke marrë me zgjedhje të gjithë fajin për vendimin e marrë, të vetëdijshëm për faktin se nuk bëhet fjalë për të vërtetën e pastër, por për një mënyrë për të mbyllur çështjen shpejt dhe pa pasoja. Po përpiqesha ta imagjinoja, por arrija vetëm ta asimiloja me atë të një vdekjeje të papritur, duhej të ishte një dhimbje e madhe ajo që ndjek fjalën ‘lamtumirë’ shprehur nga një person që me të vërtetë e do. Bëra të kuptonte se isha dakord me të dhe nuk vazhdova më në këtë temë, nuk kisha asnjë të drejtë ose asnjë nevojë ta bëja.
«Keni gjetur gjithçka të pandryshuar kur u kthyet në Wallowa apo ka patur ndryshime gjatë mungesës suaj?»
«Gjeta gjithçka ashtu siç e kisha lënë. Nuk kam munguar për shumë kohë sidoqoftë, vetëm disa muaj. Por mua më dukej sikur kishte kaluar një përjetësi».
«Vërtet pak kohë atëherë. Për këtë arsye keni gjetur edhe punën tuaj të vjetër».
«Ose ndoshta edhe sepse jam shumë i mirë dhe nuk kanë arritur kurrë të gjejnë një person tjetër që të ishte në lartësinë time?», u shpreh kryelartë.
«Ju jeni me të vërtetë shumë modest John», u përgjigja duke i buzëqeshur me kënaqësi për herë të parë.
«Modestia është një virtyt i imi, ashtu si eleganca juaj Katherine». E shikoja ndërsa më fiksonte me shikim. Drita e shenjës me neon të hotelit ku më kishte sjellë ndriçonte një anë të fytyrës së tij, ndërsa tjetra mbetej plotësisht në hije, në errësirë.
«Në ç’orë do hamë mëngjes nesër John?», pyeta duke iu përgjigjur vështrimit të tij intensiv, ndërsa sytë e tij fiksonin të mitë.
«Ju bëhet mirë për në orën tetë? Do të vij unë këtu tek ju. Kujdes, vishni rroba të rënda dhe shumë të ngrohta. Do të bëjë ftohtë në Wallowa nesër, do e shohësh. Natyrisht ndjesa jote pranohet, Katherine», përfundoi.
Ia ktheva me një buzëqeshje dhe me përkulje të lehtë dhe komplekse të kokës. Ai morri valixhen time nga bagazhi dhe e çoi deri në banakun e Recepsionit të hotelit, në fund të hollit në të djathtë. Njihte edhe nëpunësin, një djalë mjaft i fortë me emrin Fred.
«Fred, kjo është zonja Katherine. Kam rezervuar dhomën e saj në emrin tim, kontrollo listën. Do të merrem unë me çdo gjë nesër në mëngjes, kur të vij për ta marrë. Ki kujdes, dëshiroj për të një trajtim me respekt, është një mikja ime e dashur!». Pastaj u kthye përsëri nga unë për të vazhduar bisedën, «Verifikova disponueshmërinë e dhomës ndërsa po shkoja të merrja makinën në aeroport. Këtu do të jeni mirë Katherine. E njoh këtë djalë dhe të jesh e sigurt se nëse ndonjë gjë shkon keq, ai do ketë të bëjë me mua në mëngjes. Them mirë Fred?»
«Nuk keni pse shqetësoheni zoti Beal. Zonjë, ja çelësi i dhomës suaj. Po ju thërras një portier që t’ju çojë valixhen në dhomë pas disa minutash, lëreni këtu tek unë». Falënderova Fredin. Nuk m’u desh as të bëja check-in-in, dhoma ishte regjistruar në emrin e John-it.
«Faleminderit përsëri John për të gjithë ndihmën tuaj dhe disponueshmërinë tuaj bujare, ju jeni me të vërtetë një person i mirë, shumë më tepër se ç’isha unë. Dhe më falni përsëri për paturpësinë time, në aeroport si dhe në makinë, pak më parë».
«Jua përsëris Katherine, ndjesa jote është pranuar tashmë. Të mos flasim më për atë, nuk është e rëndësishme. Për më tepër përpiquni të kaloni një natë të mirë, shihemi këtu në holl nesër në mëngjes në orën tetë. Do hamë mëngjes këtu në restorantin e hotelit, është i shkëlqyer. Pastaj do të nisemi për në Wallowa». Bëri një pushim, pastaj rifilloi. «Meqë ra fjala, harrova që ju nuk keni ngrënë darkë akoma!». Mohova me një lëvizje të kokës, por e sigurova se do të merrja një kafe në dhomë, zakonisht nuk haja shumë në mbrëmje, sidomos para se të shkoja në shtrat. Dhe isha shumë e lodhur, nuk do vononte të më zinte gjumi. Ma morri dorën dhe e puthi. Kontakti i lëkurës së dorës sime me buzët e tij të buta dhe të ngrohta më bëri të dridhesha. Mezi arrita të mbaj brenda vetes emocionin tim dhe e përshëndeta.
«Shihemi nesër Katherine».
«Shihemi nesër John». Më ndoqi me shikim, duke mbetur i palëvizshëm gjatë gjithë kohës, derisa u hap dera e ashensorit. I mbante duart në xhepat e palltos, sikur të ishte duke fshehur diçka brenda tyre. Hyra në ashensor dhe shtypa tastin për të shkuar në katin e tretë. Kisha pak kohë për t’i bërë një shenjë të fundit përshëndetjeje John-it, që ma ktheu, pastaj ngela e palëvizur të vështroja imazhin e tij që zhdukej pas dyerve të ftohta prej çeliku të kabinës së ashensorit. Një korridor i gjatë, i ngushtë dhe i errët, më çoi në dhomën 315. Ndërsa kaloja përpara dyerve të dhomave të tjera, dëgjoja zhurmat e televizorëve të ndezur, të ujit të dusheve dhe zërat e njerëzve që vinin nga brenda. Hoteli ishte pothuajse plot. Hyra në dhomën time, ishte shumë e vogël, me një banjo të ngushtë dhe pak të trajtuar. Pashë jashtë nga dritarja. Shpalosej një panoramë e bukur nga pas qytetit dhe në largësi shikoja dritat e ndezura dhe të forta që ndriçonin pistat e aeroportit. Shkëlqimi i reflektimeve të dritës mbi pllakat e akullta dhe grumbujt e dëborës, i jepte peizazhit një pamje përrallore. Morra zjerësin dhe ngroha ujin për të përgatitur një kafe të mirë amerikane. Kisha nevojë për diçka të ngrohtë për të luftuar acarin që më kishte përshkuar edhe kockat në atë mbrëmje të ftohtë. Por, në të njëjtën mbrëmje, kisha takuar një burrë që kishte arritur të më ngrohte zemrën. Një talk- show transmetuar në televizion mbushte dhomën me fjalë, e pashë me pak interes ndërsa pija filxhanin tim të kafesë. Mendja ime bridhte në atë që do kisha parë dhe jetuar në Wallowa, pyesja veten për ekzistencën e vërtetë të shtëpisë që po kërkoja. Natyrisht, po të mos e kisha gjetur, do të kisha mbetur shumë e zhgënjyer nga vetja ime dhe do të kthehesha në shtëpi me duar bosh, duke u detyruar të fshija përgjithmonë ato imazhe që gjithmonë kishin populluar mendjen time dhe mendimet e mia. Kërkova në kujtesën time vizuale për copëza për të rindërtuar imazhin e John-it dhe vlerësova të gjitha ato që ai kishte bërë për mua. Vetëm tani që ai kishte ikur, duke më lënë vetëm në atë dhomë, mund të arrija të shprehja mirënjohjen time. Kishte marrë komplet një të huaj në aeroport dhe i kishte ofruar ndihmën e tij, shërbimet e tij, pa kërkuar asgjë në këmbim. Të paktën deri në atë moment. Pyesja ende veten nëse ai njeri ishte real apo një fryt i imagjinatës sime. Megjithatë, emocioni që kisha ndjerë ndërsa më puthte dorën ishte i vërtetë, fizik. Vendosa të mos mendoja më për këtë. Nëse kisha ardhur në dhomën e atij hoteli në Portland, dikush ose diçka duhej të më kishte sjellë. E çmendur, po, mund edhe të pranoja se jam, por nuk mund të pezmatoja fantazitë e mia deri sa të gjeneronin hipoteza dhe mendime absurde. U zhvesha dhe hyra në banjo, duke u futur poshtë dushit që derdhte ujë shumë të nxehtë, pothuajse tymues. Ndesha në imazhin tim të reflektuar në pasqyrën përballë meje, gjerësisht të turbullt anash nga avulli i nxehtë i prodhuar nga uji i dushit. Ishte krijuar një kornizë rreth trupit tim dhe mund të admiroja tiparet e mia dhe gjinjtë e mi të plotë sikur të isha duke admiruar një pikturë. Pashë se isha objektivisht një grua e bukur. “Po, je një grua e bukur Kate”, më sugjeroi krenaria ime prej gruaje, duke bërë që të nxjerr një buzëqeshje të bukur krenare në buzët e mia të mbyllura. Dushi më largoi lodhjen e ditës nga trupi im, duke i qetësuar muskujt e mi ndërsa uji i nxehtë rridhte përgjatë ijeve të mia dhe më përshkonte kurrizin. U preka me dorë ndërsa mendja shkonte tek John, njeriu i asaj mbrëmjeje, dhe menjëherë u pushtova nga një dridhje e nxehtë që më bëri të drithërohesha nga kënaqësia. Trupi im reagonte mirë ndaj stimujve të seksit, edhe pse ende nuk kisha mundur të përjetoja kënaqësinë e vërtetë me një burrë. Unë vetë e njihja mirë veten aq sa të kujdesesha për trupin tim ashtu siç e meritonte. Menjëherë më pas u ndjeva e qetë dhe e relaksuar, e kënaqur në trup dhe në mendje për atë që sapo kisha bërë. Vesha pizhamat e mia dhe u futa poshtë shtresave. Në televizion talk-show vazhdonte me diagolët e tij, midis grindjeve të forta të pjesëmarrësve grindavecë dhe të qeshurave të publikut, ndërsa prezantuesi përpiqej më kot të merrte kontrollin e një situate që dukej tashmë se i kishte ikur plotësisht nga duart. Pa e kuptuar, në shumë pak kohë rashë në një gjumë të thellë.