Читать книгу Çmimi I Ferrit - Federico Betti, Federico Betti - Страница 1

Оглавление

Çmimi i Ferrit

titulli: Çmimi i Ferrit

autori: Federico Betti

përkthyes : Gentian Cane

I

Stefano Xamanji ishte agjent policie në Skuadrën e Krimeve.

I pëlqente shumë të bënte një jetë të qetë dhe në kohën e lirë ia kishte shumë ënda të lëvizte në Bolonjë me automjetin e tij dyvendësh Coupé në ngjyrë gri si argjendi.

Një mëngjes të ftohtë janari u ngrit nga shtrati, hëngri shpejt e shpejt ca feta bukë pa maja me pak lëng qitroje dhe doli të shkonte për në punë. Me vete kishte marrë edhe armën pistoletë kalibër 38.

Sapo mbërriti në rrugën Rizzoli, dhe pasi pa se ishte herët për në punë, vendosi të ndalej për të përshëndetur mikun e tij Mauro Romani në fast-food-in që kishte në pronësi me numër adrese 68 të po asaj rruge.

Sapo hyri aty, pa nga ana tjetër e banakut një person të dyshimtë që mbante një pistoletë në dorën e djathtë, gati për të hapur zjarr mbi zotin Romani nëse ai nuk ia jepte paratë që ndodheshin në kasë.

Kur pa qesen me para në duart e grabitësit dhe mikun e tij Mauro të lirë, nxori pistoletën nga këllëfi poshtë xhaketës.

«Ndal, policia» tha Stefano, në pritje që personi të ndalonte.

Por kjo nuk ndodhi: burri i maskuar rrëshqiti tinëz pas një dere që të çonte në qilar.

Pa ngurruar asnjë moment më shumë, Stefano, me armë në dorë, i vajti nga pas grabitësit nëpër shkallë, me shpresë që mos t’i zhdukej nga sytë.

E kërkoi për ca momente, por nuk e gjeti.

Ndoshta kishte arritur vërtet t’ia mbathte. Ose ndoshta jo.

Po bëhej gati të ikte, kur i kapi syri një vezullim të pazakontë në ngjyrë të kuqërremtë që vinte prapa një qosheje.

Me shumë kujdes, gjithmonë duke mbajtur pistoletën tip 38 në dorë, lëvizi në drejtim të asaj drite të fortë të pazakontë. Aty gjendej një libër mbi dysheme. Kopertina ishte prej gëzofi të kuq. E kuqe e ndezur. Shumë e fortë. Verbuese. Nuk i rezistoi dot më.

Sapo Stefano preku librin, drita vezulluese u fashit.

Kapi librin dhe e mori me vete për ta çuar në Departamentin e Policisë, aty ku punonte.

Qetë qetë, nisi të punonte në tryezën e tij. Po kërkonte sesi e si të gjente atë keqbërësin që kishte hasur në lokalin e rrugës Rizzoli.

Kishte pak dhimbje migrene por nuk qe momenti, sepse pas shumë ditësh pune intensive lodhja ishte e natyrshme. Pas pak ia bëri me shenjë kolegëve dhe u largua për në shtëpi.

Hipi në automjetin e tij Coupé dhe u nis me librin të vendosur në sediljen tjetër të makinës.

Ndezi radion për të dëgjuar nëse kishte lajme për atë që kishte ndodhur në fast-food ose të tjera lajme që mund të ishin me interes: ishte shumë i dëshiruar për ndonjë kuriozitet ose lajm ndryshe nga të zakonshmit. Folësi nuk njoftoi asgjë të veçantë në radio, kështu që Stefano e fiku.

Me të mbërritur në shtëpi, mori librin që kishte gjetur në mëngjes, e vuri mbi tryezën e tij personale në dhomën e punës dhe nisi të lexonte gazetën.

Menjëherë i ra në sy një titull me shkronja të mëdha në faqe të parë: TENTATIVË GRABITJEJE NË NJË FAST-FOOD NË RRUGËN RIZZOLI. Nga ajo që lexoi, e kuptoi menjëherë që grabitësin nuk e kishin identifikuar akoma. E mbylli gazetën.

Në përpjekje për t’u qetësuar i gjithi, bëri një çaj bimor me përmbajtje menteje, trëndafili i egër dhe bimë të tjera rigjeneruese, dhe u shtri mbi divanin e sallonit me shpresën që askush nuk do ta bezdiste në telefon apo nuk do t’i binte ziles së derës. Nuk kishte aspak dëshirë të fliste.

Kërkimet mbi grabitësin dhe identifikimin e tij po vazhdonin ende, edhe pse Stefano nuk gjendej i pranishëm në Departamentin e Policisë.

Çmimi I Ferrit

Подняться наверх