Читать книгу Çmimi I Ferrit - Federico Betti, Federico Betti - Страница 2
ОглавлениеII
Pas gati tre orësh pune intensive në fast-food dhe në Departament, ekspertët mjeko-ligjorë dhe disa agjentë të tjerë policie arritën të identifikonin grabitësin me të cilin ishte përballur Stefano Xamanji.
Emri i tij ishte Daniele Santopietro. Personi kishte precedente penale për grabitje të armatosur, përdhunime dhe ushtrim dhune në shumë ndodhi dhe episode të natyrës kriminale.
Kërkimet vendosi t’i merrte përsipër Elis Dejn, një agjente që vinte nga Skotlënd Jard, por me origjinë nga Irlanda, dhe tamam tamam nga qyteti i Belfastit.
E vendosur për gjetjen e Santopietros, u nis me automjetin e saj tip sedan sportiv nëpër autostradën që përshkonte qytetin mespërmes, dhe që për shijet e saj, dukej ca si shumë i ngarkuar në trafik.
E ndjente se do ta kapte në anën tjetër të Bolonjës, në rrugën Saffi.
Me të arritur aty, parkoi makinën dhe u nis në drejtim të banesës së Santopietros me pistoletën që mbante në çantë.
Pasi gjeti pallatin që kërkonte, i ra ziles duke sajuar një arsye për të hyrë brenda pa shkaktuar asnjë dyshim tek njerëzit aty rrotull.
Me të hyrë, iu desh fare pak të gjente derën ku qe shkruar SANTOPIETRO.
Dera ishte gjysëm e hapur. Hyri fare lehtë brenda në apartament. Ndoshta shumë lehtë mendoi ajo me vete.
Me pistoletë në dorë bëri përpara. Siç dukej, nuk kishte asnjë njeri aty brenda.
Ishte një vend i errët dhe i zymtë, gjë që nuk i pëlqente fare, por duhej të vazhdonte. Nuk mundej dot të ndalte. Dhe jo pikërisht tani që gjendej aty brenda.
Ishte një apartament me shumë dhoma, të gjitha me shumë hapësirë dhe të arreduara. I eksploroi pak e nga pak të gjitha: që nga kuzhina tek depoja, nga dhoma e gjumit e te një tjetër aty përbri. Ishte i gjithi i lidhur me korridorë të gjatë e të errët. Brenda nuk shihej njeri prej njeriu.
Po bëhej gati të largohej, kur i ra ndërmend se kishte harruar pa i hedhur një sy dhomës së vogël në qoshen e fundit të errët.
Gjithmonë me pistoletë në dorë, iu afrua atij vendi pa bërë zhurmë, duke i kushtuar vëmendje çdo lëvizjeje shumë të vogël që mund të dëgjohej në ato çaste. Kishte shumë frikë. Nuk i pëlqente hiç fare ajo shtëpi.
Mezi sa po priste deri sa të dilte prej andej. Po dridhej e tëra.
Hodhi një sy vjedhurazi, për të parë se mos gjendej aty brenda Santopietro. Nga përshkrimi që ishte bërë atij personi, menjëherë e kuptoi se, me shumë gjasa, e kishte gjetur.
Ishte ulur mbi një tavolinë të vjetër kafeje mbushur plot me shishe qelqi me lëngje të ngjyrave të ndryshme: të verdhë, të kuqe, gjelbëroshe. Nuk po arrinte të kuptonte se çfarë mund të ishin.
Papritmas pa një figurë njeriu të fshehur pas një kolone shumë të trashë.
Kishte kapëse dhe tuba gome në qafë, stomak dhe në krahë e këmbë. Nga trupi i atij njeriu dilte lëng në po atë ngjyrë që kishte parë pak më parë në atë tavolinën e vjetër dhe, me anë të tubave që i ishin vendosur në trup, lëngu shkonte tek tre shishe që ishin njëlloj me ato që kishte vënë re pak më parë.
Por nuk po arrinte akoma të kuptonte se çfarë po ndodhte në atë dhomë të mallkuar dhe një drithërimë i përshkoi të gjithë shpinën.
Pavarësisht asaj çka po ndodhte aty brenda, Elis ishte tejet e vendosur që ta ndalte atë person brenda apartamentit të tij, t’i vinte prangat dhe ta çonte deri në Departamentin e policisë së Bolonjës për t’ia dorëzuar në fillim Stefano Xamanjit, që për më tepër, duhej ta njihte atë si person, dhe pastaj t’ia dorëzonte atij ose asaj që ishte i ngarkuar në rangjet më të larta të drejtësisë. Por duhej të vepronte shumë shpejt, pa pritur asnjë çast më shumë, përndryshe do qe tepër vonë, si për të, dhe për atë të gjorin që gjendej nën kthetrat e Santopietros.
Në dorë mbante fort pistoletën, gati për të hapur zjarr nëse do ishte e nevojshme.
Ndërkohë që Santopietro ishte thellësisht i zhytur pas punës së tij, Elis Dejn doli nga vendi ku qe fshehur.
«Ndal. Policia!» bërtiti.
Santopietro nuk e çau kokën fare.
«Të thashë ndal!» bërtiti prapë duke përdorur të gjithë zërin që i kishte mbetur në grykë.
Ai nuk lëvizi as edhe një gisht.
Në aq kohë sa ishte brenda nuk e kishte kuptuar se personi në krah të Santopietros ishte gjallë. E kuptoi vetëm atë moment.
«Duart lart!».
Santopietro vazhdoi me punën e tij pa e çarë fare kokën për gruan me pistoletë në dorë.
E lodhur së bërtituri, Elis vendosi të shtinte për ta ndalur.
Mori shënjestër.
Numëroi deri në pesë para se të tërhiqte këmbëzën.
Një, dy, tre, katër, pesë... Shtiu. Mjaftoi një goditje.
«JOOOO!» ulëriti Santopietro.
Për fatin e saj të keq, Elis kishte goditur në kokë kavien e Santopietros. Goditje për ters. Një gabim shënjestrimi prej vetëm pak milimetrash.
Krimineli nisi t’i hakërrehej polices.
«Do paguani për këtë! Ti dhe ai polici trap!» tha duke mallkuar për humbjen që sapo kishte pësuar.
Menjëherë Elis e mori vesh se çfarë ishin ato lëngje të çuditshme mbi tavolinën e vjetër dhe ndjeu një drithërimë të ftohtë.
U mundua të qetësohej, duke menduar se qe e pamundur gjithë ajo çka i kishte ardhur nëpër mend. Pastaj pati mundësi të mendohej edhe njëherë. Me siguri që e gjitha ishte e vërtetë.
Urinë. Gjak. Lëng biliar.
«Do të paguani për këtë që bëtë!» ulëriti përsëri Santopietro.
«E hoqët qafe! Do ta zini ju vendin e tij. Ti dhe ai miku jot shkërdhat!».
Elis u drodh prapë, jo dhe aq për ato ça kishte thënë në fillim, por për fjalët e fundit që ai kishte nxjerrë nga goja.
«E vrave!» bërtiti ai gjithnjë e më i zemëruar.
Elis vendosi të fshihej pas një kolone, për të parë më mirë gjithçka që po ndodhte në atë dhomë të urryer.
Santopietro i kishte sytë e kuq e plot tym dhe gjuhën më të zezë se karboni.
Elis ia nguli sytë kolonës që kishte zgjedhur si strehë: ishte e gjitha e zbukuruar me vija të harkuara në ngjyra të shumëllojshme. Të kuqe, blu, të zezë.
Në një moment vuri re se kolona po luante vendit.
Jo, nuk ishte kolona; ishin vijat që zbukuronin kolonën. Po bëheshin akoma më të trasha.
Po bëheshin gjarpërinj. Gjarpërinj të vërtetë. Ishin gjarpërinj të gjallë.
Shiheshin fare qartë. Po lëviznin drejt saj. U drodh përsëri. Kishte frikë. Për mendimin e saj, ishte vërtet e frikshme. Duhej t’ia mbathte nga ai ferr. E mbërthyer nga paniku, manovroi nëpër shtëpi, ose kështu u mundua, të paktën. Arriti të dilte prej andej.
Duke qenë krejt e shpenguar, nga nxitimi i madh në ikje e sipër ishte përplasur me orenditë e shtëpisë dhe kornizat e dyerve. Nga krahët dhe këmbët i rridhte gjak.
Duhej të merrte menjëherë mjekim. Gjithsesi mund ta quante veten me fat që ia kishte dalë mbanë t’u largohej gjarpërinjve dhe atij Santopietros së mallkuar.
Sapo mbërriti në shtëpi, u mjekua dhe u përpoq të qetësohej.
Çuditërisht ia doli të qetësohej fare mirë, megjithë shqetësimin e madh që kishte.
Kur u zgjua, e ndjeu veten të lumtur që e kishte zënë gjumi.