Читать книгу Rikthim Në Tokë - Danilo Clementoni - Страница 14

Anija kozmike Theos – Objekti misterioz

Оглавление

Objekti që u shfaq përpara dy bashkëudhëtarëve të çuditur tashmë, me siguri që nuk ishte ndonjë gjë që natyra, madje dhe në fantazinë e saj të pamasë, mund ta kishte krijuar vetë. Ngjante si një lloj lule metalike me tre petale të gjata, pa kërcell, me një pistil në mes në formë pak konike. Pjesa mbrapa pistilit ishte në formën e prizmit hekzagonal, me sipërfaqen e bazës pak më të madhe se ajo e konit të gjendur në pjesën përballë dhe që mbështeste të gjithë strukturën. Nga të treja brinjët e barazlarguara të hekzagonit dilnin petalet në formë katrore, me një gjatësi e pakta katër herë nga ajo e bazës.

«Duket si një tip mulliri i vjetër me erë, si ata që përdoreshin shekuj përpara, në pllajat e mëdha në lindje» foli Petri, pa i hequr as edhe një minutë sytë nga objekti që ishte shfaqur në ekranin e madh.

Një drithërimë e përshkoi Azakisin mu në shpinë, ndërsa në mend i vinin disa prototipe të vjetër që Të Moshuarit i kishin sugjeruar që të studionte para se të nisej.

«Është një sondë hapësinore» pohoi me vendosmëri Azakisi. «I kam parë disa prej tyre, të prodhuara pak a shumë në këtë mënyrë, tek arkivat e vjetër të Retes» vazhdoi, ndërkohë që nxitonte të nxirrte me anë të N^COM, sa më shumë informacione që mundej lidhur me këtë çështje.

«Një sondë hapësinore?» pyeti Petri, duke u kthyer drejt shokut me një pamje të hutuar. «Dhe kur do ta kemi lëshuar?»

«Nuk besoj se është e jona.»

«Nuk është e jona? Çfarë do të thuash miku im?»

«Dua të them se as nuk është ndërtuar dhe as nuk është lëshuar prej nesh që jetojmë në planetin Nibiru.»

Fytyra e Petrit shprehu gjithnjë e më shumë habi. «Çdo të thotë kjo? Mos më thuaj se edhe ti beson tek ato broçkullat mbi alienët, ëëëh?»

«Nga ajo çfarë di, them se asgjë e këtij lloji nuk është ndërtuar ndonjëherë në planetin tonë. Kam kontrolluar në të gjithë arkivin e Retes dhe nuk ka asnjë lidhje me objektin që kemi përpara. As edhe tek projektet që nuk janë realizuar ndonjëherë.»

«Nuk është e mundur!» thirri Petri. «Ai N^COM-i yt duhet të jetë i çakorduar. Kontrolloje më mirë.»

«Më vjen keq Petri. Vërtet që e kam kontrolluar dy herë dhe jam absolutisht i sigurt së kjo nuk është vepër e jona.»

Sistemi i të parit me rreze të shkurtër kujdeset që të gjenerojë një imazh tridimensional të objektit, duke e rikrijuar me një saktësi të madhe deri në detajet më të vogla. Hologrami lëkundej lehtazi në mes të sallës së komandës, duke qëndruar pezull afro gjysëm metri nga dyshemeja.

Petri, me një lëvizje të dorës së djathtë, filloi ta rrotullonte ngadalë, duke hetuar me vëmendje çdo detaj të vogël.

«Dukej se ishte e përbërë nga një aliazh metalik shumë i lehtë» tha Petri, me një ton padyshim shumë më teknik, lidhur me atë çudi që e kishte pushtuar që në fillim «Ushqyesit e motorëve duhet të jenë të pajisur me tre petale, që ngjanin se ishin të veshur nga një lloj materiali i ndjeshëm ndaj dritës së diellit.» Më në fund kishte filluar që të lëvizte komandat e sistemit. «Pistili duhet të jetë ndonjë lloj antene marrëse-transmetuese dhe në prismin hekzagonal me siguri që është “truri” i kësaj gjëje.»

Petri luante hologramin gjithnjë e më shpejt, duke e përmbysur në të gjitha drejtimet. Papritur u ndal dhe thirri «Shiko këtu. Sipas teje, ç’është kjo?» pyeti, ndërkohë që kujdesej për të zmadhuar detajin.

Azakisi u afrua sa më afër që të mundej. «Duken si simbole.»

«Dy simbole do të thoja» korrigjoi Petri «ose më mirë, një vizatim dhe katër simbole shumë afër njëra tjetrës.»

«Azakisi vazhdonte shpejt, me anë të N^COM, që të kërkonte diçka tek Rete, por nuk ia doli që të gjente absolutisht ndonjë gjë që të kishte sadopak lidhje me atë çfarë kishte përpara.»

Vizatimi përfaqësonte një katror të përbërë nga pesëmbëdhjetë shirita gjatësorë të alternuar me ngjyrë të bardhë dhe të kuqe, dhe, në këndin lart nga e majta, një katror tjetër me ngjyrë blu të përbërë nga pesëdhjetë yje pesëcepësh në ngjyrë të bardhë. Në të djathtë të tij, katër simbolet:

JUNO

«Duket si një lloj shkrimi» guxoi të thoshte Azakisi. «Ndoshta simbolet përfaqësojnë emrin e atyre që kanë krijuar sondën.»

«Ose ndoshta është emri i saj» iu kundërpërgjigj Petri. «Sonda quhet “JUNO” dhe simboli i ndërtuesve të saj është ai lloj katrori me ngjyrë. »

«Sido që të jetë, e sigurt është që nuk jemi ne ata që e kanë ndërtuar» këmbënguli Azakisi. «Mendon se mund të ekzistojë brenda saj ndonjë formë jete? »

«Mendoj se jo. Të paktën jo nga ato që ne njohim. Hapësira në kapsulën mbrapa, i vetmi vend ku mund të gjendet ndonjë gjë, është tepër e vogël për të pasur brenda një qenie të gjallë.»

Ndërkohë që fliste, Petri kishte nisur tashmë të kryente një skanim të sondës, në kërkim të çfarëdo lloj shenje jete që mund të dilte nga brendësia e saj. Pas pak çastesh, një varg simbolesh u shfaqën në ekran të cilat nxitoi që t’ia deshifronte shokut të tij.

«Sipas sensorëve tanë nuk ka asgjë “të gjallë” atje brenda. Nuk duket që të ketë as armë të ndonjë lloji apo tipi. Me një kqyrje të parë, e ndjej të them se, ky objekt, është një lloj avioni zbulues i lëshuar për të eksploruar në mes të sistemit diellor në kërkim të kushedi se çfarë gjëje.»

«Edhe mundet» miratoi Azakisi «por pyetja që do duhet të supozojmë është: “Lëshuar nga kush?”»

«Bahh» hamendësoi Petri «nëse përjashtojmë prezencën e “alienëve” misteriozë, do të thosha se të vetmit që mund të bëjnë diçka të tillë, mund të jenë vetëm “miqtë e tu të vjetër në tokë”.»

«Çfarë po thua? Por që nga hera e fundit që i kemi lënë, ata nuk ishin në gjendje që të ecnin as me kalë. Si mund të kenë arritur një nivel njohurie të këtillë brenda kaq pak kohe? Dërgimi i një sonde që sillet vërdallë në hapësirë nuk është aspak një shaka.»

«Pak kohë?» kundërshtoi Petri duke e parë drejt e në sy. «Mos harro se, për ata, kanë kaluar afro 3.600 vjet që atëherë. Duke patur parasysh se jetëgjatësia e tyre mesatare ishte maksimum pesëdhjetë-gjashtëdhjetë vjeç, do të thotë se kanë kaluar e pakta rreth gjashtëdhjetë breza. Ndoshta janë bërë akoma më inteligjentë se sa mund ta imagjinojmë.»

«Dhe ndoshta ishte kjo arsyeja» shtoi Azakisi, duke u përpjekur që të finalizonte mendimin e shokut «që Të Moshuarit ishin aq të merakosur për këtë mision. Ata e kishin parashikuar ose të paktën, e kishin marrë parasysh këtë mundësi.»

«Bahh, madje mund edhe të na e kishin përmendur shkarazi këtë gjë, apo jo? Sa s’më ra pika kur e pashë atë objektin.»

«Jemi ende në planin e hipotezave» tha Azakisi ndërkohë që me gishtin e madh dhe tregues të dorës fërkonte mjekrën «por duket se arsyetimi ka kuptim. Do të përpiqem që të vihem në kontakt me Të Moshuarit dhe do të provoj që t’u shkëpus ndonjë informacion më shumë, nëse kanë. Ti, ndërkaq, përpiqu të kuptosh diçka më shumë rreth këtij mjeti. Analizo itinerarin aktual, shpejtësinë, masën, e të tjera dhe përpiqu të bësh një parashikim mbi vendmbërritjen e tij, që nga koha kur është nisur dhe të dhënat që ka depozituar. Si përfundim, dua të marr vesh sa më shumë gjëra që të jetë e mundur mbi atë që na pret aty poshtë.»

«Në rregull, Zak» foli Petri ndërsa vërtiste pezull në ajër, përreth tij hologramet tërë ngjyrë me një pafundësi numrash dhe formulash.

«Ah, mos harro të analizosh atë që e ke identifikuar si antenë. Nëse është ashtu vërtet, do të jetë në gjendje të transmetojë dhe të marrë. Nuk do të doja që takimi ynë të ishte transmetuar tashmë tek dërguesit e sondës.»

Duke e thënë këtë, Azakisi u drejtua me shpejtësi nga kabina H^COM, e vetmja në gjithë anijen me pajisjet për komunikimin në largësi të madhe, e cila gjendej midis portës tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë të moduleve të transferimit të brendshëm. Dera e pasme u hap me atë fishkëllimën e lehtë dhe Azakisi rrëshqiti brenda kabinës së ngushtë.

Kush e di pse e kanë bërë kaq të ngushtë... pyeste veten ndërkohë që kërkonte të sistemohej në një sedilje, vërtet tepër të vogël, e cila kishte zbritur automatikisht nga sipër. Ndoshta kanë dashur që ta përdornim sa më pak që të jetë e mundur... .

Ndërkohë që dera po mbyllej sërish pas shpinës, ai filloi që të formonte një seri komandash mbi panelin që kishte përpara. Duhej që të priste disa sekonda para se të stabilizohej sinjali. Papritmas, në pamjen holografike, shumë të ngjashme me atë që kishte në dhomën e vet, filloi të shfaqej fytyra e rreshkur dhe padyshim e vrarë nga vitet e të Moshuarit, eprorit të tij.

«Azakis» tha ai duke buzëqeshur lehtë, ndërkohë që ngrinte ngadalë dorën kockore në shenjë përshëndetjeje. «Çfarë të shtyu që të thërrasësh, me kaq shumë ngut, këtë plak të shkretë? »

Kurrë nuk kishte arritur që të merrte vesh me saktësi moshën e shefit të tij. Askujt nuk i ishte lejuar që të merrte vesh informacione shumë private lidhur me ndonjë element të Të Moshuarve. Me siguri, transformime të mëdha rreth diellit kishte parë shumë. Pavarësisht kësaj, sytë e tij lëviznin me shpejtësi në të djathtë dhe në të majtë, me një gjallëri të atillë saqë as ai vetë nuk do të dinte t’i bënte më mirë.

«Kemi bërë një takim vërtet të papritur, të paktën për ne» ia nisi Azakisi pa shumë politesë, duke u përpjekur që ta vështronte interlokutorin drejt e në sy. «Gati ishim duke u përplasur me një objekt të pazakontë» vazhdoi, duke u munduar që të kapte çdo shprehje sado të vogël të Të Moshuarit.

«Objekt? Shprehu më qartë biri im.»

«Petri është ende duke e analizuar, por ne mendojmë se bëhet fjalë për një lloj sonde dhe jam i sigurt që nuk është e jona.» Sytë e Të Moshuarit u zgurdulluan. Dukej edhe ai i habitur.

«Kemi gjetur simbole të çuditshëm të gdhendura mbi të që janë në një gjuhë të panjohur» shtoi. « Po t’i dërgoj të gjitha të dhënat.»

Vështrimi i ngulët i Të Moshuarit u duk sikur humbi për një çast, ndërkohë që, me anë të O^COM-it të tij, shqyrtonte fluksin e informacioneve që i vinin.

Pas disa çastesh tepër të gjatë, sytë e tij u kthyen për t’u fiksuar me ata të interlokutorit të tij dhe, me një ton që nuk la asnjë emocion t’i shfaqej, tha «Do të mbledh menjëherë Këshillin e Të Moshuarve. E gjithë kjo supozon që konkluzionet tuaja fillestare janë të sakta. Nëse gjërat duhet të jenë vërtet kështu, ne do të duhet që të rishikojmë shumë shpejt planet tona.»

«Të presim të rejat» dhe duke thënë kështu, Azakisi mbylli bisedën.

Rikthim Në Tokë

Подняться наверх