Читать книгу Rikthim Në Tokë - Danilo Clementoni - Страница 8

Anija kozmike Theos – 1.000.000 Km nga Jupiteri

Оглавление

Azakisi ishte shtrirë rehatshëm sa gjatë e gjerë në kolltukun e tij të errët dhe të vetëmykur, të cilin një mik i vjetër Artizan që e kishte bërë me duart e veta, kishte dashur t’ia dhuronte atij vite më përpara me rastin e misionit të tij të parë ndërplanetar. “Ty do të të sjellë fat,” i kishte thënë atij atë ditë. “Do të të ndihmojë që të çlodhesh dhe të marrësh vendimet e duhura kur të kesh nevojë. Dhe në fakt, i ulur aty, ai kishte marrë disa vendime që atëherë dhe fati kishte qenë shpesh në anën e tij. Dhe kështu kishte vepruar gjithmonë në mënyrë që të risillte atë kujtim të shtrenjtë, pavarësisht shumë prej rregullave që do ta kishin penguar për ta përdorur, veçanërisht në një anije kozmike të tipit Bousen-1 si ajo në të cilën ai tanimë gjendej brenda.

Një shtëllungë e hollë tymi në nuancë blu u ngrit shpejt dhe pingulthi nga cigarja që ai mbante midis dy gishtave të parë në dorën e tij të djathtë, ndërkohë që me vështrimin ngultas, përpiqej që të ndiqte 4,2 UA1 që akoma e ndante atë nga vendmbërritja. Megjithëse tashmë kishte disa vite që ndërmerrte të tilla udhëtime, hijeshia e errësirës që e rrethonte dhe me mijëra yjet që e pikëlonin atë, ishin ende në gjendje që të rroknin mendimet e tij. Hyrja e madhe në formë vezake tamam përpara tij i lejonte një pamje të plotë në drejtim të udhëtimit, dhe ai gjithmonë rrinte i habitur sesi ajo forcë tepër e lehtë e fushës vektoriale ishte në gjendje që ta mbronte atë nga i ftohti yjësor i hapësirës, të pengonte ajrin të dilte jashtë krejt papritur, i gëlltitur nga zbrazëtira absolute e jashtme. Vdekja do të ishte pothuajse e menjëhershme.

I futi një të thithur të shpejtë cigares së gjatë dhe vazhdoi që të sodiste pamjen holografike drejt përpara, në të cilën shfaqej fytyra e lodhur dhe e parruar e shokut të tij të udhëtimit, që në pjesën tjetër të anijes, po riparonte sistemin e kontrollit të tubave të shkarkimit. Ai po argëtohej paksa tek shtrembëronte imazhin duke fryrë në mes tymin që sapo kishte thithur, duke krijuar kështu një efekt valëzues që aq shumë i kujtonte atij lëvizjet e lakuara të kërcimtareve sensuale, të cilat ai kishte vajtur shpesh për t’i parë kur kthehej më në fund në shtëpinë e vet dhe kur mundej që t’i gëzohej paksa një çlodhjeje të merituar.

Petri, miku dhe shoku i tij i aventurës, tashmë ishte rreth tridhjetë e dy vjeç dhe ky ishte misioni i tij i katërt i këtij lloji.

Busti i tij i fortë dhe imponues gjithmonë ngjallte shumë respekt tek të gjithë ata që takonte. Sy të zinj si hapësira kozmike, flokë të errët, të gjatë e të çrregullt që i arrinin deri tek shpatullat, i gjatë pothuajse dy metra e tridhjetë, kraharori dhe krahu i tij mund të ngrinin pa mundim një Nebir2 të madh, por prapëseprapë ai kishte akoma shpirtin e një fëmije. Ishte në gjendje të emocionohej duke parë tek çelte një lule e Soel3 , mund të rrinte i ngazëllyer për orë të tëra duke vështruar valët e detit ndërkohë që përplaseshin në brigjet e fildishta të Gjirit të Saraanit4 . Një person i jashtëzakonshëm, i besuar, besnik, i gatshëm për të dhënë jetën e vet për të pa asnjë ngurrim. Nuk do të ishte nisur kurrë nëse nuk do të kishte patur Petrin në krah. Ishte i vetmi në botë të cilit i besonte verbërisht dhe që kurrë nuk do ta kishte tradhtuar.

Motorët e anijes, tashmë gati për të eksploruar në brendësi të sistemit diellor, i përcillnin atij zhurmën kërkëllitëse të qetë, dhe klasike dyfazore. Në veshët e tij të stërvitur, ai tingull konfirmonte që çdo gjë po shkonte perfekt. Me ndjeshmërinë e tij të të dëgjuarit do të kishte qenë në gjendje që të kapte një oshilacion tek tubat e brendshëm edhe në vetëm 0,0001 Lasig, shumë më përpara se ta konstatonte vetë sistemi tepër i sofistikuar i kontrollit të automatizuar. Prandaj dhe për këtë i ishte dhënë e drejta, që shumë i ri, të komandonte një anije të tipit Pegasus.

Shumë prej shokëve të tij të kursit do të kishin dhënë krahun e tyre të djathtë për të qenë aty në vend të tij. Por tanimë aty ishte ai.

Impianti intraokular O^COM bënte kthjellimin përpara tij të itinerarit të ri të përllogaritur. Ishte e jashtëzakonshme sesi një objekt në shumë pak mikronë mund të kryente tërë ato funksione. I futur direkt në nervin optik, ishte në gjendje të shfaqte një panel të tërë kontrolli, duke mbivendosur imazhin e asaj që e kishte realisht përpara. Në fillim, nuk kishte qenë vërtet e lehtë të mësohej më atë pajisje të çuditshme, dhe më shumë se një herë të përzierit i kishte rrezikuar që të merrte veten. Kurse tani, nuk mundte që të bënte dot pa të.

I tërë sistemi diellor rrotullohej përreth tij në të gjithë madhështinë e vet tërheqëse. Pika e vogël blu, në afërsi të Jupiterit gjigand, përfaqësonte vendndodhjen e anijes së tij dhe vija e hollë e kuqe, pak më e lakuar se më përpara dhe e zbehur tashmë, tregonte trajektoren e re të afrimit me Tokën.

Forca e rëndesës e planetit më të madh të sistemit ishte impresionuese. Detyrimisht do të duhej të qëndronin nga një largësi e sigurtë dhe vetëm fuqia e dy motorëve Bousen, do të kishte lejuar që Theosi t’i shpëtonte atij përqafimi vdekjeprurës.

«Azakis» klithi komunikuesi portabël mbështetur tek paneli i kontrollit përpara. «Duhet të verifikonim gjendjen e xhuntove në kabinën gjashtë.»

«Akoma nuk e ke bërë?» iu përgjigj me pamje prej shakaxhiu, për të cilën ishte i sigurt që do ta kishte zemëruar mikun e tij.

«Hidhe atë cigare të qelbur dhe hajde më jep një dorë!”» gërthiti Petri.

E dinte.

Ia kishte dalë që ta nervozonte dhe i gëzohej si të marrët.

«Ja ku jam, ja ku jam. Po vij miku im, mos u nxeh.»

«Lëviz, ka katër orë që po qëndroj në mes të këtij mundimi dhe vërtet që nuk jam në humor për të bërë shaka.»

Grindavec si gjithmonë, por asgjë dhe askush nuk do të mundte që ta ndante prej tij.

Njiheshin që nga fëmijëria. Ishte vetë ai që e shpëtonte më shumë se një herë nga një rrahje e sigurt (që fëmijë ishte shumë më i madh në trup nga të tjerët), duke ndërmjetësuar me imponimin e vet të respektueshëm midis mikut të tij dhe bandës së vetme të garipave, nga e cila ishte pothuaj gjithmonë në shënjestër.

Që në djalëri Azakisi nuk ishte sigurisht tipi që personat tërheqës të seksit të kundërt do ta kishin afruar për ta njohur. Vishej gjithmonë mjaft shkujdesur, me flokë të rruar, fizik të hollë, i lidhur pashtershmërisht pas Rete5 nga e cila thithte me miliona informacione në një shpejtësi dhjetë herë më të lartë se mesatarja. Tashmë brenda dhjetë viteve, në sajë të rezultateve të jashtëzakonshme në studime, kishte arritur një akses të nivelit C, duke pasur kështu mundësinë që t’u afrohej njohurive të paprekura nga pothuajse të gjithë bashkëmoshatarët e vet. Impianti nervor N^COM, që i garantonte këtë lloj aksesi, sidoqoftë kishte ndonjë minus të vogël. Gjatë fazave të përvetësimit, përqendrimi duhet të ishte gati absolut dhe, duke qenë se pjesa më e madhe e kohës i kalonte kësisoj, praktikisht kishte gjithmonë një pamje të hutuar, me vështrimin e ngulët të humbur në zbrazëtirë, krejtësisht të huaj ndaj gjithçkaje që i ndodhte përreth. Me thënë të vërtetën, ekzistonte një mendim i përgjithshëm që, në kundërshtim me atë çka deklaronin të Moshuarit, ai ishte paksa i vonuar.

Për atë kjo nuk kishte rëndësi.

Etja e tij për dije nuk kishte kufij. Edhe netëve rrinte i azhornuar dhe, ndonëse në gjumë kapaciteti i përvetësimit, i nevojshëm për një përqendrim absolut, do të reduktohej në një 1% të papërfillshëm, nuk do të donte të harxhonte kot as edhe një çast të vetëm nga jeta, pa patur mundësinë që të zgjeronte horizontin e vet kulturor.

U ngrit duke përvijuar një buzëqeshje të butë dhe u drejtua për nga kabina gjashtë, ku po e priste miku i tij.

Rikthim Në Tokë

Подняться наверх