Читать книгу Shkrimtari - Danilo Clementoni - Страница 10

Anija gjashtë – Inspektimi hënor

Оглавление

Pasi dora e padukshme e frikës që i kishte trazuar stomakun më në fund vendosi ta linte të qetë, Azakisi kishte nisur të vërtitej me nervozizëm përgjatë kabinës së anijes duke belbëzuar fjalë pa kuptim.

«A do pushosh së vërtituri rreth e rrotull si një turrjelë?» e qortoi Petri. «Kështu do konsumosh dyshemenë dhe do përfundojmë duke fluturuar nëpër hapësirë si dy satelitë të vjetër jashtë përdorimit.»

«Po si ia del që të jesh kaq i qetë? Theosi përfundoi i shkatërruar, gjendemi me miliona kilometra nga planeti ynë mëmë, nuk mund të kontaktojmë me asnjeri gjithashtu, edhe nëse do të arrinim, do të ishte e pamundur që të vinte të na merrte dikush, dhe ti? Je shtrirë sa gjatë e gjerë në kolltuk si të gjendeshe me pushime dhe të ishe ulur mbi shkëmbinjtë në gjirin e Saraanit për të shijuar pamjen e perëndimit të diellit.»

«Rri i qetë plako, rri i qetë. Do ta shohësh se një zgjidhje do ta gjejmë.»

«Për momentin nuk më vjen në mend asnjë zgjidhje.»

«Sepse je i acaruar. Janë valët gama që po lëshon ai truri yt i gjorë dhe i tensionuar dhe që të pengojnë të llogjikosh me kthjelltësi.»

«A thua?»

«Sigurisht» iu përgjigj Petri me një buzëqeshje rrëzëllitëse. «Hajde dhe ulu pranë meje, merr frymë mirë dhe mundohu të relaksohesh. Do ta shohësh se në një kohë shumë të shkurtër gjithçka do të marrë tjetër formë.»

«Do të jetë ashtu siç thua ti, miku im» tha Azakisi ndërkohë që, duke ndjekur këshillën e shokut, e lëshoi trupin mbi kolltukun ngjyrë gri të pilotit të dytë «por në këtë moment mund të bëj gjithçka me përjashtim të relaksit.»

«Nëse më premton se do qetësohesh, do të të lejoj edhe të pish një nga ato shpifësirat që mban gjithmonë me vete.»

«Bah, mund të ishte madje një mendim i mirë. Jam i sigurt se do më ndihmonte ndopak.» Duke thënë kështu, nxori nga xhepi një cigare të gjatë të errët të dredhur me dorë dhe, pasi i preu anët me një mjet të çuditshëm shumëngjyrësh, e vuri në gojë dhe e ndezi. E thithi shpejt disa herë duke i lënë shtëllungat e vogla të tymit kaltërosh të përhapeshin nëpër dhomë. Me një kërcitje të lehtë, sistemi automatik i pastrimit të ajrit në anije u aktivizua. Në fare pak çaste tymi u zhduk dhe bashkë me të edhe aroma e athët dhe e sheqerosur.

«Por, nuk është e drejtë kështu» u shpreh Azakisi që tashmë kishte filluar t‘i kthehej sërish humori. «Më kishte dalë nga mendja që sistemet tona të pastrimit qenkan shumë efiçentë.»

«I ke projektuar ti vetë» ia ktheu Petri. «Nuk mund të ndodhte ndryshe.»

Tensioni dukej se po zbutej dalngadalë.

«Le të shohim se si është situata» propozoi Azakisi ndërkohë që akoma me cigaren mes buzëve, aktivizonte një sërë hologramesh që u pozicionuan në ajër rreth e përqark dy alienëve. «Kemi katër anije në gjendje pune duke përfshirë edhe tonën. Theos-2 tashmë ka zbritur mbi Nibir dhe të dy janë jashtë rrezes së veprimit të sistemit të komunikimit me vorbullat e dritës.» Nxori nja dy shtëllunga tymi, pastaj vazhdoi «Furnizimi me karburant dhe ushqime është në nëntëdhjetë e nëntë përqind.»

«Të lumtë, po shoh se je duke marrë kontrollin e situatës. Vazhdo» e inkurajoi Petri i kënaqur.

«Të gjashtë pjesëtarët e mbetur të ekuipazhit janë në gjendje të shkëlqyer. Mbrojtëset dhe armatimet janë në efiçencë maksimale. Problemi i vetëm është që nuk kemi më një H^COM për të kontaktuar të Moshuarit që edhe t’u raportojmë për situatën.»

«Këtu gabohesh» i tha Petri.

«Çfarë kërkon të thuash?»

«Dua të them se është akoma edhe një H^COM që funksionon.»

«Por i vetmi që kishim u bë copë copë me anijen kozmike.»

«Po ai që i kemi lënë tokësorëve?»

«Ça dreqin, ke të drejtë. Më kishte dalë nga mendja. Duhet të kthehemi tek ata dhe të na e japin.»

«Merre shtruar, plako. Kemi kohë për këtë. Unë të parën gjë që do bëja, do shkoja për një shëtitje në hënë për të parë nëse arrijmë të rikuperojmë ndonjë pjesë nga anija jonë e mrekullueshme që ti e çove me gëzim drejt shkatërrimit të plotë.»

«Unë? E ç’hyj unë këtu? Ishe ti që e hodhe në erë aty lart.»

«Dhe kush ishte ai që humbi sistemin e pultit të kontrollit?»

«Po ai ishte faji yt. Metoda e lidhjes ishte difektoze.»

«Në rregull, në rregull. Ajo që ndodhi, ndodhi. Tani të përpiqemi t’i japim zgjidhje kësaj situate. Edhe pse jam një optimist i pandreqshëm, për momentin nuk arrij të shoh zgjidhje gjeniale.»

«Do të jenë valët gama» u përgjigj Azakisi duke ia kthyer shokut të vet me të njëjtën monedhë. «Duke supozuar gjithmonë se ato katër neurone që sorollaten në kokën tënde të zbrazët janë akoma në gjendje të transmetojnë.»

«Pas kësaj shakaje fare pa kripë mund të njoftoj më në fund se Zaku i vjetër është sërish mes nesh. Mirë se u ktheve.»

«Aëherë, a do ta çosh këtë anije tek vendi i eksplozionit pa na përplasur pas ndonjë mali hënor?»

«Sigurisht shef. Nën urdhrat e tua» u shpreh Petri duke imituar paksa mënyrat ushtarake që i kishte parë të përdoreshin shpesh nga miqtë e tij tokësorë. «Destinacioni në hënë» shtoi me gëzim, pasi kishte ndezur motorët dhe vendosur itinerarin në drejtim të satelitit.

U deshën vetëm nja dy minuta për të mbërritur në vendin ku ishte shpërbërë Theosi. Anija nisi të mbikqyrte me ngadalë zonën në faqen e padukshme të Hënës që kishte pësuar goditjen si pasojë e eksplozionit. Terreni, normalisht me shumë gunga dhe plot me kratere të shkaktuara nga goditjet e vjetra të qindra meteoritëve që, në miliona vjet e kishin bërë shoshë fare, tani dukej çuditërisht i sheshtë dhe i lëmuar në afro gjashtëqind kilometra katrorët e tij. Vala e energjisë së gjeneruar nga shpërthimi kishte bërë copë e çikë gjithçka që gjendej aty. Shkëmbinj, kratere dhe gropa nuk ekzistonin më. Dukej sikur kishte kaluar mbi të një rul gjigand, duke lënë pas vetes një sipërfaqe të pamasë me rërë të butë ngjyrë gri.

«E pabesueshme» foli Petri. «Duket sikur po fluturojmë sipër shkretëtirës së pafund të Siharit në Nibir.»

«Kemi shkaktuar një katastrofë të madhe» tha Azakisi i dëshpëruar.

«Jo, ore jo. Nuk e sheh sa i bukur është tani peisazhi? Më përpara sipërfaqet kishin më shumë rrudha se i Moshuari ynë Suprem, ndërsa tani është e lëmuar si lëkura e një fëmije.»

«Nuk më duket se ka ngelur shumë nga anija jonë e dashur kozmike.»

«Po bëj një kontroll të imtësishëm të zonës por shumica nga ato që kam gjetur janë copa të madhësisë vetëm disa centimetra kub.»

«Nuk ka ç’të thuash. Sistemi i vetëshkatërrimit ka funksionuar shkëlqyeshëm.»

«Ej Zak» tha papritur Petri. «Sipas teje, kjo çfarë është?» dhe tregoi një pikë të errët mbi ekranin qendror.

«E nga ta di... Nuk shihet mirë. Ça thonë sensorët?»

«Nuk po zbulojnë dot gjë. Sipas tyre aty nuk ka asgjë përveç rërës por mua më duket se shoh edhe diçka tjetër.»

«Është e pamundur që sensorët nuk po zbulojnë dot gjë. Provo të bësh një test të kalibrimit.»

«Më jep vetëm një sekondë.» Petri u mor me një sërë komandash holografike pastaj u prononcua «Parametrat janë në normë. Duket se gjithçka po funksionon mirë.»

«E çuditshme... E provojmë t’i afrohemi pak.»

Anija numër gjashtë lëvizi ngadalë në drejtim të atij objekti të çuditshëm që ngjante se po dilte nga shtresa e pluhurit dhe e rërës gri.

«Zmadhim maksimal» urdhëroi Azakisi. «Po ça është ajo?»

«Me aq pak sa arrihet të shihet, duket si një pjesë e një strukture artificiale» guxoi të thoshte Petri.

«Artificiale? Besoj se asnjë prej nesh nuk ka instaluar ndonjëherë diçka të tillë në hënë.»

«Ndoshta kanë qenë tokësorët. Më duket se kam lexuar diku se ata kanë kryer disa misione në këtë satelit.»

«Gjëja padyshim e çuditshme është se sensorët nuk po zbulojnë asgjë nga ajo që po na shohin sytë.»

«Nuk di ç’të të them. Ndoshta janë dëmtuar nga shpërthimi.»

«Po edhe nëse është bërë tani një test dhe gjithçka rezulton në rregull» këmbënguli Azakisi në mëdyshje.

«Atëherë ajo gjëja që po shohim duhet të jetë bërë nga ndonjë lloj materiali i panjohur për ne dhe që sensorët tanë nuk janë në gjendje ta ekzaminojnë.»

«Do të më thuash se tokësorët kanë arritur të shpikin një përbërje që nuk e njohim as ne, e kanë sjellë këtu lart dhe që kanë ndërtuar një bazë ose diçka të ngjashme me të?»

«Dhe, për më tepër që tani ne ia kemi prishur» komentoi Petri i dëshpëruar.

«Miqtë tanë nuk reshtin kurrë duke na surprizuar, hë?»

«Është e vërtetë... Bah, shëtitjen e vockël e bëmë të tërën. Do thoja që ta lëmë për momentin. Kemi gjëra akoma më të rëndësishme për të bërë tani. Si thua shefo?»

«Them se ke plotësisht të drejtë. Duke parë se nga Theosi nuk duket të ketë mbetur ndonjë gjë që mund të hyjë në punë, mendoj se edhe mund të ikim prej këndej.»

«Itinerari në drejtim të Tokës?»

«Kthehemi në kampin e Elisës dhe të përpiqemi të përdorim H^COM-in e tyre për të hyrë në kontakt me Nibirun.»

«Po shokët tanë të udhëtimit? Nuk mund t’i lëmë aspak këtu lart» tha Petri.

«Duhet të rregullojmë një bazë mbështetëse në Tokë. Mund të ngremë ndonjë lloj kampi afër me atë të miqve tanë.»

«Më duket ide e shkëlqyer. Të njoftoj pjesën tjetër të ekuipazhit?»

«Po. Jepu atyre kordinatat e kampit të gërmimeve dhe kërkoju që të organizojnë përgatitjen e një strukture emergjence. Ne do të zbresim të parët dhe do të përpiqemi që të kontaktojmë me të Moshuarit.»

«Nisemi» tha Petri gjithë gëzim. «Dhe të mendosh se, deri para pak minutave, isha në merak se si do të mundja të kapërceja mërzinë që do më kaplonte gjatë udhëtimit të kthimit.»

Në të njëjtin çast, në një largësi prej afro 500 U.A. nga dielli ynë, një objekt i çuditshëm me formë vezake u shfaq praktikisht nga hiçi, i paraprirë nga një vetëtimë kaltëroshe që theu të zezën absolute të hapësirës kozmike. U zhvendos në vijë të drejtë për afro njëqind mijë kilometra me një shpejtësi të jashtëzakonshme para se të zhdukej sërish, i përpirë nga një tip vorbulle gjigande në ngjyrë argjendi me reflekse prej ari. E gjitha kjo zgjati vetëm pak sekonda, pas së cilës, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ai vend aq i largët dhe i shkretë i hapësirës së thellë u zhyt prapë në qetësinë e plotë ku ishte gjendur deri më tani.

Shkrimtari

Подняться наверх