Читать книгу Shkrimtari - Danilo Clementoni - Страница 17

Tell-el-Mukayyar – Imazhet

Оглавление

Petri dhe tre miqtë e tjerë ndërkohë ishin zhvendosur në brendësi të tendës laboratorike të profesoreshës Hanter.

«Tani po bëhem vërtet kureshtar» tha Azakisi nën ankth. «Dua të shoh tamam se çfarë nuk ka funksionuar në sistemin tënd të lidhjes me ganxhë.»

«E jo, i dashur. Do ta shohësh që gjërat qëndrojnë paksa ndryshe» ia ktheu Petri ndërkohë që shfaqte një hologram tredimensional, në një lartësi rreth gjysëm metri nga toka.

«Vërtet më mrekullon kjo që po bën» u shpreh Xheku ndërkohë që sodiste imazhet që formoheshin pikërisht në mes të tendës, dhe po merrej me një instrument të çuditshëm dhe skenat riprodhoheshin nga e para. «Ky është momenti kur kemi paraqitur në Zonën 51 gjeneralin Kembëll, senatorin Preston dhe dy personazhet qesharake që na sulmuan kur po përpiqeshim të merrnim ngarkesën.»

«Po, po. Më kujtohet shumë mirë» komentoi Azakisi.

«Tani po ju tregoj diçka» dhe hologrami shfaqi një tip trupmadh që po i afrohej me kërcënim Azakisit, duke i dhënë një rrahur të lehtë supeve.

«Pandeha se po më kërcënonte» foli komandanti alien. «Nuk më lëvizi as edhe një milimetër. Po ç’hyn kjo me zhdukjen e pultit të kontrollit?»

«Prit. Lëre sa të zmadhohet ky detaji... Ajo që po shihni është dora e trashaluqit ndërkohë që, me një aftësi të zhdërvjellët, po merr aparatin nga rripi yt i mesit.»

«E pabesueshme» thirri koloneli. «Një manovër e denjë për hajdutët më të mirë të xhepave që vërtiten nëpër metro.»

«Me pretekstin e të rrahurës së supeve përfitoi për të të vjedhur pultin e kontrollit» shtoi Elisa. «Është një teknikë e vjetër që hajdutët e përçojnë brez pas brezi.»

«Ma ka vjedhur ai?» pyeti Azakisi i shastisur.

«Fiks ai, plako» konfirmoi Petri.

«Po si dreqin ia ka arritur që ta riaktivizojë dhe të zbatojë komandën e vetëshkatërrimit? Ti madje e kishte çaktivizuar krejtësisht apo jo?»

«Po Zak. Aparati ishte çaktivizuar. Ka të ngjarë që ai dhe shoku i vet, pasi janë liruar, i janë vënë punës për të kërkuar në mes të informacioneve të panumërta që u kemi lënë tokësorëve sesi të shmangnin sistemin e bllokimit.»

«Ata të dy na shkatërruan anijen dhe na penguan që të ktheheshim në shtëpi» shfryu Azakisi në kërkim të një inati të paparë ndonjëherë. «Kur të më bien përsëri në dorë do t’i bëj që të pendohen që kanë ardhur në këtë botë, për be.»

«Qetësohu, miku im. Tashmë, ajo që u bë, u bë. Nuk mund të zhbëjmë dot më asgjë. Ajo që do na duhet të bëjmë është të biem në gjurmë të atyre të dy qelbësirave dhe të marrim atë që na kanë vjedhur para se të zbulojnë edhe funksionet e tjera që ka.»

«Pse, çfarë funksioni tjetër ka?» pyeti Elisa gjithë kureshtje.

«Ta lëmë fare për momentin. Më mirë mos ta dish.»

«Ça dreq, sa shumë mistere» ia ktheu profesoresha e pakënaqur.

«Sigurisht, nëse ia arritën të zbulonin aktivizimin e vetëshkatërrimit, mund të gjejnë edhe funksionet e tjera» tha Azakisi i merakosur.

«Por a nuk duhet të mendonit që më parë për një sistem tjetër për t’u kthyer në shtëpi?» pyeti koloneli. «Nuk më duket se kjo është një punë aq urgjente.»

«Ke të drejtë Xhek por ajo pajisje në duar të gabuara, mund të ishte vërtet me rrezik.»

«Dhe padyshim që ato janë duar të gabuara» shtoi Elisa.

«Ndoshta do të gjendej një sistem» foli Petri gati nën zë.

«Atëherë? Do flasësh apo jo? Duhet të të lutem në gjunjë?» foli Azakisi gjithë mërzi.

«Ai aparat është i pajisur me një sistem ushqimi të veçantë. Nëse do gjendeshim akoma në Theos do të mund të realizoja një pajisje që të arrinte të identifikonte gjurmët që lë pas.»

«Dhe të ra ndërmend vetëm tani?» Azakisi kishte ndryshuar krejtësisht. «Nuk mund ta bëje sapo e pamë që qe zhdukur?»

«Më vjen keq por ky sistem kërkimi funksionon vetëm nëse objekti është në lëvizje dhe e kemi marrë si të mirëqenë faktin që të ka rënë në ndonjë vend.»

«Tani qetësohuni djema» foli koloneli, duke i theksuar fjalët e tij me anë të gjesteve me duar. «Fundja, me aq sa kuptova, pa Theosin nuk mund të bëhet dot asgjë, apo jo?»

«Bah, ndoshta do mundesha të organizoja diçka po njëlloj» foli Petri duke kruajtur kokën.

«Më falni për shpërthimin, miku im» tha komandanti i penduar. «E di që nuk është faji yt. Ky është vërtet një moment i keq për të dy.» Pastaj, duke i vënë një dorë tek supi, shtoi «Shiko se çfarë mund të bësh. Besoj se është shumë e rëndësishme që ta gjesh dhe ta marrësh përsëri atë objekt sa më shpejt që të mundesh.»

«Mos u merakos Zak. Pa problem fare. Do të përpiqem të sajoj ndonjë gjë, duke u rregulluar me ato pak mjete që më kanë ngelur.»

«Vetëm ti mund t’ia dalësh mbanë. Jemi në duart e tua»

«Po shkoj» dhe, pa shtuar gjë tjetër, Eksperti doli nga tenda laboratorike duke lënë pas vetëm disa shtëllunga pluhuri.

«Do t’ia dalë?» pyeti Xheku i pasigurt.

«Sigurisht. Nuk kam asnjë dyshim. Petri ka aftësi të jashtëzakonshme. Më shumë se një herë e kam parë të realizojë gjëra që as edhe një ekip me Artizanët më të mirë nuk do ishte në gjendje t’i bënte. Është një person fantastik. Më vjen keq që kam qenë ca si shumë i ashpër me të. I dua të mirën me shpirt dhe do të isha gati të jepja jetën për të në çfarëdo lloj momenti.»

«Mos u shqetëso Zak» foli Elisa me një zë të thellë shumë të ëmbël. «Ai e di shumë mirë. Është një moment i keq por do ta kapërcejmë pa probleme. Nuk kam fare dyshim.»

«Faleminderit Elisa. Vërtet shpresoj me gjithë zemër.»

Shkrimtari

Подняться наверх