Читать книгу Shkrimtari - Danilo Clementoni - Страница 9

Tell el-Mukayyar – Vetëtimë në qiell

Оглавление

Në bazën e kampit të profesoreshës Elisa Hanter, macka Lulù, pasi kishte zbritur nga krahu i arkeologes, nisi të vërtitej me nervozizëm rreth e qark me vështrimin e ngulitur drejt qiellit. Dielli ishte duke perënduar dhe një hënë shumë e bukur thuajse e plotë ishte tashmë lart në horizont.

«Lulù, çfarë ke?» pyeti Elisa paksa e merakosur, e kthyer nga macka e saj nervoze.

«Duhet të jetë e trishtuar pasi do ta ketë kuptuar se miqtë tanë u larguan» komentoi Xheku fare shkurt, duke u përpjekur ta ngushëllonte me ndonjë fërkim poshtë mjekrës.

Fillimisht macka u duk se po i pëlqente të ishte në qendër të vëmendjes, duke mjaullitur dhe fërkuar turirin tek dora e madhe e kolonelit. Por papritur, ngriu në vend, bëri një qëndrim të pazakontë dhe ktheu vështrimin në drejtim të satelitit të zbehtë të Tokës. Të dy, gjithë kureshtje nga ajo sjellje e çuditshme e saj, u kthyen instiktivisht edhe ata në po atë drejtim. Ajo që panë pas pak çastesh i la gati pa frymë. Një shkëlqim verbues jonormal u duk sikur mbështolli hënën. Një dritë shumë e bardhë, që u përhap në një sipërfaqe dhjetë herë më të madhe se diametri i satelitit, formoi një tip kurore përreth saj. Kjo zgjati vetëm pak sekonda por thuajse ngjante sikur një diell tjetër ishte shfaqur papritmas në qiellin e mugëtirës, duke ndriçuar të gjithë zonën me një dritë aspak natyrale.

«Po ça dreqin...» arriti vetëm të pëshpëriste koloneli i shtangur.

Ashtu siç ishte shfaqur, drita jonormale u venit dhe u duk se gjithçka u kthye tamam si më parë. Hëna ishte gjithmonë aty dhe dielli vazhdonte me përtaci zbritjen e tij mbrapa dunave që dalloheshin në horizont.

«Po ça ka qenë vallë?» pyeti Elisa me habi.

«Nuk kam as idenë më të vogël.»

«Për një çast pata frikë se mos shpërthente hëna.»

«Qe me të vërtetë e jashtëzakonshme» u shpreh koloneli ndërkohë që, me dorën e vendosur mbi vetull, vështronte qiellin e kthjellët në kërkim të ndonjë shenje.

«Azakisi... Petri...» foli Elisa papritur. «Duhet t’u ketë ndodhur diçka, e ndjej.»

«Ec tani, mjaft me këto. Ndoshta ka qenë vetëm efekti i ndezjes së motorëve të anijes së tyre.»

«Nuk është e mundur. Ngjante fiks si një eksplozion i vërtetë. Ti duhej të dije diçka më shumë se unë në fushën e materies, apo jo?»

«Zemër» komentoi me durim koloneli. «Për të parë pasojat e një eksplozioni të tillë nga gjithë kjo largësi, mbi hënën do të ishin dashur të shpërthenin njëkohësisht të paktën njëqind bomba atomike ose ndoshta edhe një mijë të tilla.»

«Po ça ka ndodhur atëherë?»

«Mund të provojmë të pyesim miqtë tanë ushtarakë. Fundja unë jam akoma pjesë e ELSAD-it. Me gjithë ato pajisje të drejtuara nga qielli, një ngjarje e këtillë natyrisht që nuk do t’u ketë shpëtuar.»

«Edhe Lulùja i ra në të.»

«Besoj se kjo mackë është shumë më inteligjente nga ne të dy të marrë së bashku.»

«Kafshët shtëpiake janë një racë superiore» tha Elisa ndërkohë që po merrte sërish mackën në krahë. «Akoma nuk e kishe kuptuar?»

«Tamam. Me duket se edhe egjiptianët e lashtë i adhuronin gati si perëndi.»

«Fiks ashtu është, i dashur» tha Elisa, e gëzuar që diskutimi ishte futur në një fushë që e njihte më së miri. «Bastet, për shembull, ishin një nga perënditë më të rëndësishme dhe më të adhuruara të fesë së lashtë egjiptiane, portretizuar ose me pamje femërore dhe kokë maceje ose direkt si mace. Në origjinë Bastet ishin një perëndi e kultit të diellit por me kalimin e kohës u bënë gjithnjë e kultit të hënës. Në kohën kur ndikimi grek u shtri mbi shoqërinë egjiptiane, Bastet përfundimisht u bënë thjesht një Perëndi hënore, në atë që Grekët e identifikonin me Artemidën, personifikimi i "Hënës që zmadhohet".»

«Po, në rregull. Faleminderit për leksionin, e nderuara profesoreshë» tha Xheku me ironi, duke e vënë theksin tek ajo ça tha dhe duke bërë një përkulje të lehtë. «Por tani të mundohemi të kuptojmë se çfarë dreqin po ndodh aty lart. Po bëj nja dy telefonata.»

«Kur të duash, jam gjithmonë në dispozicionin tënd, zemër» iu përgjigj Elisa, duke ngritur ngadalë zërin ndërkohë që koloneli largohej në drejtim të tendës laboratorike.

Lulùja, që kishte rënë prapë në qetësi, me sytë e mbyllur i gëzohej ledhatimeve pa masë që po i jepte mikesha e saj.

Shkrimtari

Подняться наверх