Читать книгу Shkrimtari - Danilo Clementoni - Страница 14

Tell-el-Mukayyar – Energjia e piramidave

Оглавление

«Ja pra, po zbresin» foli Petri duke treguar tre anijet që me shpejtësi po i afroheshin kampit të gërmimeve.

«Dispozicioni standart» u urdhëroi Azakisi dy pilotëve të mjeteve te komunikuesi i tij portabël.

Të dy alienët, bashkë me Xhekun dhe Elisën, qëndruan në heshtje duke soditur anijet ndërkohë që përfundonin manovrat e tyre të shpejta dhe të sakta në zbritje.

«Do të duhet të aktivizojmë një fushë force në kupolë për të rikrijuar një atmosferë më të përshtatshme për sistemin tonë të frymëmarrjes» sugjeroi Petri.

«Jam dakord» ia ktheu Azakisi. «Jam mërzitur sa s’ka me këto pajisje të mallkuara» dhe tregoi dy tubat e hollë të frymëmarrjes që i mbante të futur në vrimat e hundës.

«Këtu ka shumë oksigjen për ne. Ndoshta do të ishte më mirë që ta organizonim bazën tonë të emergjencës lart në mal.»

«Jo jo. Të paktën jo për momentin. Fusha e forcës do të jetë më se e mjaftueshme në pritje për t’u organizuar pak më mirë.»

«Në rregull, në rregull, ti je shefi» foli Petri, duke e theksuar fjalën me një lloj përshëndjetje ushtarake që e kishte parë ta bënin ushtarët në Tokë.

«Anija dy. Aktivizoni kupolën kufizuese» tha përsëri Azakisi tek komunikuesi.

Duke u nisur nga maja e anijes qendrore, tradhtuar vetëm nga një dridhje e lehtë e ajrit, një tip velloje gati e padukshme u përhap me shpejtësi në një rreze afro njëqind metra, duke arritur të formonte një kapuç në formë gjysëmsfere që, nga pika më e lartë e piramidës virtuale të anijes dy, u përhap në mënyrë uniforme deri sa u zhyt në terrenin gjithë rërë të shkretëtirës.

«Më duket një punë e shkëlqyer» u shpreh Petri i kënaqur.

«Përse janë vendosur kështu?» pyeti Elisa gjithë kureshtje.

«Kështu si?» ia ktheu Azakisi. «Çfarë do të thuash me këtë?»

«Anijet. Piramidat që kanë formuar janë thuajse në vijë të drejtë dhe të vendosura me fytyrë nga jugu. Dy në pjesën më të jashtme me sa duket janë drejtuar ndërsa ajo që gjendet në qendër duket pak e dalë nga aksi.»

«Ke një shpirt vëzhgimi fantastik» komentoi Azakisi.

«Fakti është se më kujtojnë shumë diçka tjetër.»

«Çfarë saktësisht?» pyeti atëherë koloneli që papritmas ishte interesuar ndaj diskutimit.

«A ke qenë ndonjëherë në Egjipt?»

«Shumë kohë më parë.»

«Dhe e ke vizituar pllajën e Gizës?»

«Sigurisht që po» iu përgjigj Xheku. Pastaj, duke i rënë ballit me pëllëmbë thirri «Po natyrisht. Janë vendosur tamam si tre piramidat më të mëdha.»

«Keopi, Shefreni dhe Miçerino» saktësoi profesoresha.

«Vërtet që nuk po marr se ça apo thoni» foli Azakisi me dyshim.

«Prit» foli atëherë Elisa. «Po ta tregoj» dhe u drejtua me hapa të shpejtë drejt tendës së laboratorit. Pa kaluar as një minutë doli andej me një libër të trashë shumë të konsumuar nga përdorimi i tepërt. Ndërkohë që u afrohej tre të tjerëve, shfletonte faqet me shpejtësi. «Ja këtu. Shiko» dhe ia dha alienit.

«Interesante... Çfarë janë?»

«Më lër ta shoh» tha ndërkohë Petri, duke ia marrë librin e madh shokut nga duart. «Ah po. I kam parë këto lloj ndërtimesh. Janë të ngjashme me atë aty» dhe tregoi Ziqquratin mbrapa kampit. «Por duhet të jenë ndërtuar nga një popull tjetër dhe në kohë të ndryshme.»

«Të lumtë Petri. Ke shumë të drejtë. Studiuesit tanë që nga dita e e zbulimit të tyre, kanë shtrydhur trurin për të kuptuar arsyen se pse u ndërtuan dhe pse janë vendosur në atë mënyrë.»

«Po është shumë e thjeshtë» tha Petri duke nxjerrë në pah një buzëqeshje plot gëzim. «I sheh ato yjet aty lart?» dhe tregoi një yjësi në mes të tjerave, që vendin ia kishte lënë diellit tashmë të perënduar.

«Po, sigurisht. Ne e quajmë yjësia e Orionit. E ka marrë emrin nga gjysëm perëndia greke Orioni» tha Elisa. Pastaj, ndërkohë që me gishtin tregues vizatonte profilin në ajrin e kthjellët të shkretëtirës, shtoi «Nëse yjet e saj bashkohen me një vijë virtuale, atëherë formohen koka, supet, beli dhe këmbët e një njeriu. Sipas mitologjisë greke, Orioni ishte një gjigand i lindur me aftësi mbinjerëzore, një gjuetar i fuqishëm që vriste gjahun me një vare bronxi të pathyeshme. Kur heroi grek vdiq, ai u vu midis yjeve në përjetësi.»

«Gjithmonë shumë mbresëlënëse historitë tuaja» komentoi Petri i mahnitur. «Nga ajo që na kanë mësuar të Moshuarit, të gjitha ndërtimet e këtij lloji, dhe të tilla ka shumë të shpërndara në të gjithë tokën, të gjitha pra na referohen neve.»

«Ju alienëve?»

«Ne “Zotave”, të zbritur nga qielli për të nisur racën njerëzore» saktësoi Petri.

«Dhe të dukej se edhe këtu nuk qe dora juaj» shfryu Xheku. «Duket se gjithçka që kemi bërë deri më sot është ekskluzivisht për shkakun tuaj.»

«Bah, ta mendosh mirë fare» shtoi Elisa «duhet të them se nuk mund t’i vëmë të gjitha fajet.»

«Doja vetëm të thoja» shtoi Petri me qetësi «se anijet tona janë pozicionuar thjesht si tre yjet e “mesit” të Orionit tuaj.»

«Kështu që e njëjta gjë do të vlente edhe për piramidat në Egjipt?» pyeti Xheku i habitur.

«Do thoja vërtet se po.»

«Atëherë ishin të vërteta supozimet e shkencëtarëve tanë» tha profesoresha gati nën zë. Pastaj mori mjekrën mes dy gishtave të mëdhenj të dorës dhe shtoi «Por, akoma nuk e kam kuptuar arsyen e vërtetë të kësaj vendosje.»

«E thjeshtë fare, e dashur» foli Petri. «Energjia.»

«Këtë duhet të ma sqarosh mirë» ia ktheu profesoresha ndërkohë që po drejtonte kurrizin dhe kryqëzonte krahët.

«Nuk është se edhe ne dimë shumë për këtë» nxitoi të sqaronte Petri. «Por duket se, një objekt i bërë në formë piramide është në gjendje të gjenerojë një lloj energjie pozitive të dobishme për të gjitha qeniet e gjalla që i ndodhen afër. Me sa duket, sa më i madh objekti aq më e madhe është energjia që gjeneron. Pastaj nëse është në kontakt me një trup qiellor ose më mirë, me disa prej tyre, gjithçka amplifikohet në mënyrë eksponenciale.»

«Por për çfarë lloj energjie jemi duke folur?» pyeti ndërkohë arkeologia.

«Siç po të thoja, nuk është e qartë as për ne. Shumë nga Ekspertët tanë janë duke u marrë me studimin e saj por akoma nuk kemi të dhëna të sigurta.»

«Më në fund ja edhe diçka që nuk e dini as ju» foli atëherë Xheku i kënaqur. «Është thuajse një mrekulli.»

«Janë shumë gjëra që ne nuk i dimë, miku im. Në shkallë globale, ne jemi pak më të zhvilluar se ju. Në univers gjenden kaq shumë mistere. Nuk e ke çuar aspak në mend se ne i njohim të gjitha?»

«Po të rrëfej se, për momentin, e besova vërtet.»

«Ka koncepte që nuk do të mund t’i kuptojmë dot kurrë. Duhet ta pranojmë këtë.»

«Por ne jemi qenie inteligjente, gjithë fantazi, gjithë kureshtje. Çfarë do na pengonte që të kuptonim?»

Në atë moment qe Azakisi ai që ndërhyri në diskutim duke thënë «Është vetëm problem i niveleve të perceptimit.»

«Këtë nuk e kam kuptuar tamam» u shpreh Elisa me mëdyshje.

«Për sa kohë që ti mund të mendosh që mendjet tona janë kushedi se sa të “zhvilluara”, ka disa elemente aq larg nga strukturat tona të mendimit saqë ne as arrijmë dot t’i supozojmë, të paktën me njohuritë tona aktuale.»

«Më vjen keq por nuk po të ndjek dot.»

«Marrim si shembull një qelizë të mëlçisë tënde» vazhdoi Azakisi me durim. «Imagjinoje atë nga këndvështrimi i arsyetimit mbi gjendjen e saj, mbi punën, mbi qelizat që gjenden afër saj. Kushedi sa herë do të jetë përpjekur të kuptojë se çfarë ka përtej atij realiteti ku jeton. A ka grupe të tjera qelizash? A do të jenë si mua? Ndoshta do të ketë provuar së supozuari edhe mbi praninë e një Zoti. Gjithshtu do të ketë tentuar të hyjë në kontakt me të duke ndjekur kushedi se çfarë ritesh komplekse, duke u lutur për ndërhyrjen e tij në zgjidhjen e problemeve të tyre të përditshme. Po kush është Zoti i saj? Tëmthi? Zemra? Ti? Çfarë perceptimi mund të ketë vallë një qelizë e mëlçisë sate, për ty, për Zotin e saj? Si mund të hyjë ndonjëherë në kontakt direkt me ty? Dhe nëse nuk të percepton dot ty, a do mund të më perceptojë ndonjëherë mua? Dhe detin, qiellin, diellin, galaktikën... Këtë desha të them për nivelet e ndryshme të perceptimit.»

«Dreq» u shpreh Elisa sikur sapo kishte dalë nga një gjendje hipnoze. «Nuk e kisha menduar ndonjëherë këtë... Kështu pra, ne nuk mund të arrijmë dot kurrë të hyjmë në kontakt me entitetet e niveleve të larta dhe as ta imagjinojmë se çfarë mund të gjendet jashtë përmasave ku ne jetojmë.»

«Nuk është e thënë. Duket sikur dikush, falë edhe energjisë së veçantë të çliruar nga piramidat për të cilat po flisnim më parë, mund të ishte në gjendje të kapërcente një apo më shumë nivele. Për fat të keq edhe njohuritë tona në këtë fushë kaq të veçantë, janë akoma shumë të kufizuara.»

«E mrekullueshme» pëshpëriti profesoresha krejt e mahnitur. «Pra edhe ju jeni në kërkim të Zotit tuaj.»

«Në fakt, kjo është një temë diskutimi mbi të cilën jemi duke studiuar që prej shumë kohësh.»

«Nëse edhe ju nuk ia keni dalë mbanë kësaj pune, as mos ta mendojmë që edhe ne mund të kemi shpresa.»

«Shpesh intuitat më të rëndësishme fshihen ashtu vetvetiu» konludoi Azakisi. «Racat tona janë shumë të ngjashme dhe jam i sigurt se si ne edhe ju, do mund të kemi të njëjtat mundësi për të zbuluar funksionimin e këtij mekanizmi misterioz, përmes të cilit mund të vihemi në kontakt me disa entitete më lart.»

Elisa kryqëzoi duart pas shpine dhe nisi të vinte vërdallë. U mendua për disa sekonda pastaj shtoi «Por, në fakt, nëse qeliza për të cilën folëm më parë nuk do ta bënte mirë punën e vet, për mua do të kishte probleme dhe do të isha e vetëdijshme për këtë. Fundja edhe kjo është një formë kontakti, apo nuk është kështu?»

«Ke të drejtë. Ne të gjithë gjendemi këtu për një qëllim të qartë dhe duhet të kërkojmë thjesht të bëjmë sa më mirë punën tonë. Prandaj për këtë arsye në Nibiru, qëkur vijmë në jetë, Trainuesit tanë përpiqen që të identifikojnë se cila është veçoria jonë kryesore. Secili prej nesh e ka një të tillë, ashtu siç mendoj që e keni edhe ju tokësorët. Problemi më i madh është që ta zbulojmë dhe ta ngremë në maksimum. Trainuesit, përveç se na japin të gjitha njohuritë bazë, merren fiks edhe me këtë. Janë ata që, pasi i kanë analizuar me kujdes karakteristikat tona, na orientojnë drejt grupit që i afrohet më shumë dhuntive tona personale si ai i Artistave, i Artizanëve, i Ekspertëve dhe kështu me radhë. Ne nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse të japim gjithmonë maksimumin në aktivitetin ku ne shkëlqejmë dhe të përfundojmë rrugën që është menduar për ne.»

«Mirë djema» ndërhyri në atë moment koloneli. «Si thoni sikur t’i lëmë fare këto diskutime filozofike dhe t’i përkushtohemi seriozisht zgjidhjes së problemit që kemi tani?»

«Po tamam» shtoi Petri. «Në fakt, ndërkohë që ju “mendjet e mëdha” po arsyetoni mbi misteret e universit, unë bëra shkarkimin e të dhënave nga regjistruesi jot personal.»

«Po për çfarë je duke folur?» e pyeti Azakisi me mëdyshje.

«Me thënë të drejtën, nuk më kujtohej sa mua» vazhdoi Eksperti. «Por, para nisjes, mora masat për të aktivizuar një sistem të regjistrimit personal që do të memorizonte të gjitha veprimet e çdo komponenti të ekuipazhit.»

«Po, po, tani më kujtohet. Po flet për këtë gjënë që më ke vënë këtu mbrapa, apo jo?» ia ktheu komandanti, ndërkohë që duke përthyer trupin, përpiqej të tregonte një katror të vogël të zi fiksuar mbi rripin e tij të mesit në ngjyrë gri të çelët.

«Tamam ashtu, plako. Dhe ta imagjinosh se sa mirë ka funksionuar. Ia dola të zbuloj fundin që pati sistemi yt i kontrollit në largësi.»

«Ah po? Dhe ç’fund do të ketë patur vallë?»

«Nuk do ta imagjinoje dot kurrë.»

Shkrimtari

Подняться наверх