Читать книгу Forcat E Kundërta - Aldivan Teixeira Torres, Daniele Giuffre' - Страница 11
Sfida e Dytë
ОглавлениеMe të vajtur te kasollja, gjej rojen e malit e cila duket më madhështore se kurrë ndonjëherë. Ajo nuk i heq sytë prej meje. Mendoj se jam shumë i veçantë për Zotin. E ndjej praninë e tij në çdo moment. Ai më ringjall me të gjitha mënyrat. Kur isha i papunë, Ai më hapi një derë; kur unë nuk kisha ndonjë mundësi për t’u rritur profesionalisht, Ai më dha rrugë të reja; ndërkohë në kohë krize, ai më çliroi nga kthetrat e Djallit. Gjithsesi, ajo pamje aprovuese e gruas së çuditshme më kujtoi njeriun që isha deri më tani. Qëllimi im aktual ishte të fitoja pavarësisht pengesave që më duhej të kapërceja.
—Pra ti dole fitimtar në sfidën e parë. Përgëzimet e mia. (Thirri gruaja). Sfida e parë kishte për qëllim të zbulonte mençurinë dhe aftësinë që ke për të marrë vendime dhe për t’i ndarë ato. Dy shtigjet përfaqësojnë "forcat e kundërta" që sundojnë universin (e mira dhe e keqja). Një qenie njerëzore është totalisht e lirë të zgjedhë ose njërën ose tjetrën. Nëse zgjedh shtegun në të djathtë, do të ndriçohet me ndihmën e ëngjëjve në çdo moment të jetës. Ky është shtegu që zgjodhe ti. Sidoqoftë, nuk është një rrugë e lehtë. Shpeshherë, do të të pushtojnë dyshimet dhe do të pyesësh veten nëse ky shteg vërtet ia vlen. Njerëzit në këtë botë gjithmonë do të të lëndojnë dhe do të përfitojnë nga dashamirësia jote. Akoma më tej, besimi që do kesh te të tjerët gati gati do të të bëjë të zhgënjehesh gjithmonë. Kur të mërzitesh, mbaj mend: Zoti yt është i fortë dhe kurrë nuk do të të braktisë. Kurrë mos e lër veten që pasuria dhe dëshirat e forta të të prishin zemrën. Ti je i veçantë dhe për këtë vlerë që ke, Zoti të konsideron si birin e tij. Kurrë mos e lër veten të biesh nga kjo mirësi. Shtegu në të majtë i takon çdokujt që i ngre krye thirrjes së Zotit. Të gjithë ne kemi lindur me një mision hyjnor. Sidoqoftë, disa devijojnë nga kjo si rrjedhojë e materializmit, ndikimeve të këqija, kalbëzimit të shpirtit. Ata që zgjedhin shtegun në të majtë nuk përfundojnë me një të ardhme të lumtur, na ka mësuar Jezusi. Çdo pemë që nuk jep frute të mira do të shkulet me rrënjë dhe do të flaket në errësirën aty jashtë. Ky është fati që do kenë njerëzit e këqinj pasi Zoti është i drejtë. Atëherë kur ti gjete gropën e ujit dhe ato kafshë të gjora aty, zemra të foli me zë të lartë. Dëgjoje atë gjithmonë dhe do të shkosh larg. Virtyti i ndarjes me të tjerët shkëlqeu tek ty atë moment dhe rritja jote shpirtërore ishte për t’u admiruar. Mençuria që kishe brenda vetes të ndihmoi të gjeje ushqim. Shtegu më i lehtë nuk është gjithmonë ai i duhuri. Mendoj se tani je gati për sfidën e dytë. Për tre ditë do të dalësh jashtë nga kasollja jote dhe do kërkosh një të vërtetë. Vepro sipas ndërgjegjes tënde. Nëse e kalon, atëherë do të shkosh tek sfida e tretë dhe ajo finale.
—Të falenderoj që më shoqërove gjithë këtë kohë. Nuk e di se çfarë më pret në shpellë dhe as nuk e di se çfarë do më ndodhë aty. Ndihma jote është shumë e rëndësishme për mua. Qëkur hipa në mal, e kuptoj se jeta ime ka ndryshuar. Jam më i qetë dhe me më shumë vetëbesim për atë çka dua. Do ta përfundoj edhe sfidën e dytë.
—Shumë mirë. Do shihemi pas tre ditësh duke filluar që nga ky moment.
Dhe duke thënë këtë, gruaja u zhduk edhe një herë tjetër. Ajo më la vetëm në qetësinë e mbrëmjes rrethuar nga bulkthat, mushkonjat dhe insektet e tjera.