Читать книгу Forcat E Kundërta - Aldivan Teixeira Torres, Daniele Giuffre' - Страница 9
Kasollja
ОглавлениеNjë ditë e re erdhi. Zogjtë fërshëllenin dhe këndonin këngën e tyre, era frynte nga verilindja dhe flladi i saj freskonte diellin që rrihte shumë nxehtë në këtë periudhë të vitit. Tani është Dhjetor dhe për mua ky muaj përbën një nga muajt më të bukur të vitit pasi është fillimi i pushimeve të shkollës. Është një pushim i merituar pas një viti të gjatë kushtuar studimeve universitare në degën e Matematikës; Momenti kur mund të harrosh të gjitha integralet, derivatet dhe kordinatat polare. Tani më duhet të merakosem për të gjitha sfidat me të cilat do më përplasë jeta. Ëndrrat e mia varen nga kjo. Shpina më dhemb si rezultat i një nate me gjumë të keq, i shtrirë në tokën e shkelur që e përgatita si shtratin tim. Kasollja që ngrita me shumë përpjekje dhe zjarri që ndeza më dhanë njëfarë sigurie për natën. Gjithsesi, dëgjova britma dhe zhurmë hapash aty jashtë. Po ku më kanë çuar ëndrrat e mia? Përgjigja është: në fund të botës aty ku qytetërimi ende nuk ka mbërritur. Po ti lexues, çfarë do bëje? A do ta rrezikoje veten në një udhëtim për t’i bërë realitet ëndrrat e tua më të mëdha? Le të vazhdojmë me rrëfimin.
I zhytur në pyetjet dhe mendimet e mia, gati nuk e kuptova se, pranë meje, ishte ajo gruaja e çuditshme që më premtoi të më ndihmonte në rrugëtimin tim.
—A fjete mirë?
—Nëse mirë do të thotë se jam prapë i tëri, atëherë them se po.
—Pikësëpari, më duhet të të them se toka ku po shkel është e shenjtë. Kështu që, mos u gënje nga pamja e jashtme ose nga tërheqja momentale. Sot është sfida jote e parë. Nuk do të të sjell më ushqim apo ujë. Do t’i gjesh vetë për llogarinë tënde. Ndiq zemrën në të gjitha situatat. Duhet ta dëshmosh se je i denjë.
—Ka pak ujë dhe ushqim në këtë gëmushë dhe a duhet ta marr? Shiko, Zonjë, unë jam mësuar të bëj pazar në supermarket. E shikon këtë kasolle? Më ka kushtuar djersë dhe lot dhe prapë nuk ma ha mendja se është e sigurtë. Pse nuk ma dhuron atë që më nevojitet? Mendoj se e kam treguar me prova se jam i denjë që në momentin që hipa në malin e thepisur.
—Kërko për ushqim dhe ujë. Mali është vetëm një hap në proçesin e rritjes tënde shpirtërore. Akoma nuk je gati. Më duhet të të kujtoj se unë nuk jap dhurata. Nuk kam fuqi për ta bërë këtë. Jam vetëm shigjeta që të tregon rrugën që duhet ndjekur. Shpella është ajo që të dhuron çfarë ke dëshirë. Quhet shpella e dëshpërimit siç e deshën ata, ëndrrat e të cilëve u bënë të pamundura.
—Do ta provoj. Nuk kam çfarë të humbas. Shpella është shpresa ime e fundit për të patur sukses.
Dhe duke thënë këtë, ngrihem dhe nis sfidën time të parë. Gruaja u zhduk si tymi.