Читать книгу Forcat E Kundërta - Aldivan Teixeira Torres, Daniele Giuffre' - Страница 15

Lëkundja

Оглавление

Nis një ditë e re. Zbardh dita, flladi i mëngjesit më përkëdhel flokët, zogjtë dhe insektet festojnë, dhe duket se bimësia po ringjallet. Kjo ndodh çdo ditë. Fërkoj sytë, laj fytyrën, laj dhëmbët dhe bëj një dush. Kjo është rutina ime para mëngjesit. Pylli nuk më ofron as përparësi dhe as opsione. Nuk jam mësuar me këtë gjë. Mamaja më ka llastuar deri në atë pikë sa të më shërbente edhe kafen. Ha mëngjesin në heshtje por diçka më rëndon në kokë. Çfarë do ketë sfida e tretë dhe sfida e fundit? Çfarë do të më ngjasë brenda tek shpella? Ka kaq shumë pyetje pa përgjigje saqë më merren mendtë. Mëngjesi kalon, dhe bashkë me të edhe rrahjet e zemrës, frikërat dhe drithërimat e mia. Kush isha unë tani? Sigurisht jo i njëjti. Iu ngjita një mali të shenjtë duke kërkuar një fat që as nuk e di fare se ça është. Gjeta rojen dhe zbulova vlera të reja dhe një botë edhe më të madhe nga ajo që përfytyroja më parë. Kalova dy sfida dhe tani më duhet vetëm të përballem me të tretën. Një sfidë e tretë drithëruese që ishte e largët dhe e panjohur. Gjethet rreth e rrotull kasolles lëvizin lehtazi si kurrë ndonjëherë. Kam mësuar të kuptoj natyrën dhe sinjalet e saj. Dikush po afrohet.

—Tungjatjeta! Ka njeri aty?

Kërceva përpjetë, hodha vështrimin në një drejtim tjetër, dhe pashë figurën misterioze të rojes. Ajo duket më e lumtur dhe akoma më e kuqe në fytyrë pavarësisht moshës së saj të dukshme.

—Jam këtu, siç e sheh. Çfarë lajmesh më ke sjellë?

—Siç e di, sot erdha për të të njoftuar mbi sfidën tënde të tretë dhe të fundit. Do të bëhet në ditën tënde të shtatë këtu në mal pasi është koha maksimale që një i vdekur mund të qëndrojë këtu. Është e thjeshtë dhe përmban këto gjëra: Do vrasësh njeriun apo bishën e parë që do hasësh kur të lësh kasollen në po të njëjtën ditë. Përndryshe nuk do kesh të drejtë të hysh në shpellën që realizon dëshirat e tua më të mëdha. Si thua? A nuk është e lehtë?

—Po si kështu? Të vras? A ngjaj unë si vrasës?

—Është mënyra e vetme që ti të futesh në shpellë. Përgatitu sepse mbeten vetëm dy ditë dhe...

Një tërmet me magnitutë 3.7 i shkallës Rihter goditi të gjithë majën e malit. Lëkundja më solli marrje mendsh dhe ma ha mendja se do më bjerë të fikët. Gjithnjë e më shumë mendime më vijnë në mendje. E ndjej se po më shterojnë fuqitë dhe ndjej prangat të më shtrëngojnë duart dhe këmbët. Në një çast, e shoh veten si skllav, që punon në fushat që zotërojnë të pasurit. Shoh zinxhirat, gjakun dhe dëgjoj të qarat e shokëve të mi bashkëvuajtës. Shoh pasurinë, krenarinë dhe tradhtinë e kolonelëve. Shoh gjithashtu se si qan liria dhe drejtësia për të shtypurit. Oh, sa e padrejtë është bota! Ndërkohë që disa fitojnë, të tjerët lihen të dërrmohen, krejt të harruar. Prangat këputen. Jam pjesërisht i lirë. Ende më diskriminojnë, më urrejnë, më shajnë. E shoh ende djallin tek njerëzit e bardhë që më thonë "zezak." Akoma e ndjej veten inferior. Dëgjoj prapë të qarat rrënqethëse por tani zëri është i qartë, i mprehtë dhe i njohur. Lëkundja ikën dhe pak nga pak vij prapë në vete. Dikush më ngre lart. Ende pakëz i shushatur, bërtas:

—Çfarë ndodhi?

E përlotur, roja me sa duket nuk mund të gjejë një përgjigje.

—Biri im, shpella sapo shkatërroi një shpirt tjetër. Të lutem fitoje sfidën e tretë dhe munde këtë magji. Universi po punon për fitoren tënde.

—Nuk e di si ta fitoj. Vetëm drita e krijuesit mund të më ndriçojë mendimet dhe veprimet. Të siguroj: unë nuk do të heq dorë kollaj nga ëndrrat e mia.

—Kam besim tek ty dhe tek edukimi që ke marrë. Paç fat, Biri i Zotit! Shihemi së shpejti!

Dhe duke thënë kështu, gruaja e çuditshme u largua dhe u zhduk si një shtëllungë tymi. Tani mbeta vetëm dhe më duhet të përgatitem për sfidën përfundimtare.

Forcat E Kundërta

Подняться наверх