Читать книгу Forcat E Kundërta - Aldivan Teixeira Torres, Daniele Giuffre' - Страница 18

Shpella e Dëshpërimit

Оглавление

Pasi fitova sfidën e tretë, u bëra gati të hyja në shpellën e frikshme të dëshpërimit, shpella që realizonte ëndrrat e pamundura. Isha akoma një tjetër ëndërrimtar i cili do të përpiqej të provonte fatin. Që prej momentit që u ngjita në mal, nuk isha më ai i pari. Tani kisha shumë besim në vete dhe në universin e mrekullueshëm që më mbajti. Përqafimi që më dha gruaja e çuditshme më parë më dha akoma më shumë qetësi. Tani ajo gjendej aty pranë meje duke më mbështetur me të gjitha mënyrat. Kjo ishte mbështetja që nuk e mora kurrë nga njerëzit e mi të dashur. Valixhen time të pandarë e kisha vënë poshtë krahut. Ishte momenti që t’i thosha lamtumirë malit dhe mistereve të tij. Sfidat, roja, fantazma, vajza e re dhe vetë mali që dukej se merrte frymë, të gjitha më kishin ndihmuar të rritesha. Isha gati të shkoja dhe të përballesha me shpellën e frikshme. Rojen e kisha në krah dhe ajo do më shoqëronte në këtë udhëtim për tek hyrja e shpellës. Ne ikim pasi dielli tashmë po zbret drejt horizontit. Planet tona janë në harmoni të plotë. Bimësia rreth e përqark shtegut ku po ecim dhe zhurma e kafshëve e bën ambientin të duket shumë rural. Heshtja e rojes gjatë gjithë rrugëtimit duket se na parathotë rreziqet që shpella mban të mbyllur brenda saj. Ndalemi për pak. Zërat e malit ngjajnë se duan të më thonë diçka. Përfitoj nga ky rast për të thyer heshtjen.

—A mund të pyes për diçka? Kush janë këto zëra që më torturojnë kaq shumë?

—Ti dëgjon zëra. Interesante. Mali i shenjtë ka aftësinë magjike të bëjë bashkë të gjitha zemrat ëndërrimtare. Ti je në gjendje të ndjesh këto dridhje magjike dhe t’i interpretosh ato. Sidoqoftë, mos u kushto shumë vëmendje pasi ato mund të të çojnë drejt dështimit. Përpiqu të përqendrohesh tek mendimet e tua dhe ato do të frenohen disi. Ki kujdes. Shpella është në gjendje të zbulojë dobësitë e tua dhe t’i përdorë ato kundra teje.

—Të premtoj që do të kem kujdes për veten. Unë nuk e di se çfarë më pret në shpellë por kam besim se shpirtrat ndriçues do më ndihmojnë. Vihet në pikëpyetje fati im dhe në njëfarë mase edhe i pjesës tjetër të botës.

—Në rregull pra, kemi pushuar mjaft. Le të vazhdojmë të ecim sepse nuk na mbetet edhe shumë deri në perëndim të diellit. Shpella duhet të jetë afro çerek milje prej këndej.

Fëshfërima e hapave fillon sërish. Çerek milje ndan ëndrrën time nga realizimi i saj. Gjndemi në anën perëndimore të majës së malit atje ku erërat janë edhe më të forta. Mali dhe misteret e tij ... Mendoj se kurrë nuk do ta njoh të gjithin. Çfarë më shtyu të ngjitem në të? Premtimi se e pamundura do bëhet e mundur dhe instiktet e mia të aventurës dhe eksplorimit. Në fakt, po më vrisnin ato çka ishin të mundura dhe rutina e përditshme. Tani e ndjej veten të gjallë dhe gati për të kapërcyer sfidat. Shpella është afër. Mund ta shoh tashmë hyrjen e saj. Duket shumë e madhe, por unë nuk dekurajohem. Një shumëllojshmëri mendimesh pushtojnë gjithë qenien time. Duhet të mbaj nën kontroll emocionet. Ato mund të më tradhtojnë në moment. Roja më bën me shenjë të ndalem. I bindem.

—Kjo është maksimumi që mund të shkoj deri afër shpellës. Më dëgjo mirë çfarë do të të them sepse nuk do ta përsëris: Para se të hysh, lutju njëherë Atit Tonë për ëngjëllin tënd mbrojtës. Ai do të të mbrojë nga rreziqet. Kur të hysh, vepro me kujdes në mënyrë që mos të biesh në kurthe. Pasi të ecësh në korridorin kryesor të shpellës për njëfarë kohe, do të hasësh në tre opsione: Lumturia, dështimi dhe frika. Zgjidh lumturinë. Nëse zgjedh dështimin, do të ngelesh një idiot i shkretë që e ka zakon të ëndërrojë. Nëse zgjedh frikën, do humbasësh krejt. Lumturia të jep mundësi për dy skenare të tjera që janë të panjohur për mua. Mbaj mend: Vetëm zemra e dëlirë mund t’i mbijetojë shpellës. Ji i mençur dhe përmbushe ëndrrën tënde.

—E kuptoj. Erdhi momenti që kam pritur qëkur u ngjita në mal. Të faleminderit, roje, për të gjithë durimin dhe zellin që ke treguar me mua. Nuk do të harroj kurrë ty si edhe momentet që kemi kaluar së bashku.

Zemra m’u ligështua ndërkohë që po i thoja mirupafshim. Tani isha unë vetëm me shpellën, një duel që do të ndryshonte historinë e botës dhe timen gjithashtu. E pashë drejt përpara dhe mora dritën e dorës nga valixhja për të bërë dritë gjatë rrugës. Bëhem gati të futem. Këmbët më duken si të ngrira para kësaj gjigandeje. Më duhet të mbledh forcat për të vazhduar rrugën. Jam Brazilian dhe kurrë, asnjëherë nuk dorëzohem. Bëj disa hapa dhe kam ndjesinë e lehtë se dikush po më shoqëron. Mendoj se jam shumë i veçantë për Zotin. Ai më trajton sikur të isha biri i tij. Nis të shpejtoj hapat dhe më në fund futem në shpellë. Befasimi i parë qe tejet i madh por më duhet të jem i kujdesshëm për shkak të kurtheve. Lagështia e ajrit është e lartë dhe i ftohti i madh. Stalaktitet dhe stalagmitet gjenden kudo, rreth e rrotull meje. Kam ecur brenda për nja pesëdhjetë jard dhe drithërimat nisin të ma bëjnë gjithë trupin kokrriza kokrriza. Gjithçka që kam përjetuar para ngjitjes në mal fillon e më vjen nëpër mend: Poshtërimet, padrejtësitë dhe cmira e të tjerëve. Duket se secili nga armiqtë e mi është brenda shpellës në pritje të momentit më të përshtatshëm për të më sulmuar. Me një kërcim spektakular, e kaloj kurthin e parë. Zjarri i shpellës gati më përlau. Nadja nuk ishte kaq me fat. Duke u kapur pas një stalaktiti që varej nga sipër dhe që mrekullisht i rezistoi peshës sime, arrita të mbijetoj. Më duhet të zbres poshtë dhe të vazhdoj udhëtimin tim drejt të panjohurës. Shpejtoj hapat por me kujdes. Shumica e njerëzve nxitojnë, nxitojnë për të fituar, apo nxitojnë për të përmbushur synimet. Shkathtësia fantastike sapo më ka shpëtuar nga një kurth i dytë. Shtiza të panumërta janë lëshuar drejt meje. Njëra prej tyre më erdhi aq afër sa gati më gërvishti në fytyrë. Shpella dëshiron të më asgjësojë. Duhet të jem më i kujdesshëm që tani e tutje. Ka kaluar gati një orë qëkur u futa në shpellë dhe akoma nuk kam mbërritur në vendin për të cilin foli roja. Duhet të jem afër. Vazhdoj të eci me hapa të shpejtuar, dhe zemra më jep një sinjal paralajmërues. Ndonjëherë, nuk i kushtojmë rëndësi sinjaleve që na jep trupi. Kjo është kur ndodh dështimi dhe zhgënjimi. Për fat të mirë, ky nuk është rasti im. Dëgjoj një zhurmë shumë të madhe që vjen në drejtimin tim. Nis të rend me vrap. Pas disa çastesh, e kuptoj se po me ndjek një gur gjigand që bie me shpejtësi të madhe. Vrapoj për pak dhe me një lëvizje të befasishme arrij t’i largohem shkëmbit, duke gjetur strehë në anë të shpellës. Kur guri kalon, pjesa e përparme e shpellës mbyllet dhe mu para meje shfaqen tre dyer. Ato përfaqësojnë lumturinë, dështimin dhe frikën. Nëse zgjedh dështimin, nuk do jem askushi përveçse një idiot i shkretë që ëndërroi një ditë të bëhej shkrimtar. Njerëzit do më shohin me keqardhje. Nëse zgjedh frikën, nuk do të rritem kurrë dhe as do të jem i njohur në botë. Do mund të isha bishti i kavallit dhe të isha përgjithmonë i humbur. Nëse zgjedh lumturinë, do të vazhdoj me ëndrrën time dhe do të shkoj tek skenari i dytë.

Janë tre opsione: Një derë në të djathtë, një në të majtë dhe një në mes. Secila prej tyre paraqet një nga opsionet: Lumturinë, dështimin ose frikën. Duhet të bëj zgjedhjen e duhur. Me kohën kam mësuar që të kapërcej frikën: Frikë nga errësira, frikë nga vetmia dhe frikë nga e panjohura. Gjithashtu, nuk i frikësohem suksesit apo të ardhmes. Frika duhet të jetë dera në të djathtë. Dështimi është rezultati i planifikimit të dobët. Kam dështuar disa herë por kjo nuk më ka bërë që të heq dorë nga synimet e mia. Dështimi duhet të shërbejë si mësim për fitoren që do vijë më vonë. Dështimi duhet të jetë dera në të majtë. Dhe në fund, dera në mes duhet të jetë lumturia sepse i drejti nuk kthehet as nga e djathta as nga e majta. I drejti është gjithmonë i lumtur. Mbledh forcat dhe zgjedh derën në mes. Me ta hapur, futem në një sallon të madh dhe në krye është shkruar fjala Lumturi. Në mes është një çelës që të lejon të futesh në një derë tjetër. Vërtet që kisha të drejtë. E plotësova hapin e parë. Më ngelen dy të tjera. Marr çelësin dhe e provoj te dera. Bën fiks fare. Hap derën. Futem në një galeri të re. Nis të zbres poshtë. Një lumë mendimesh më pushtojnë mendjen: Çfarë kurthesh të tjera ka me të cilat duhet të përballem? Në çfarë skenari do të më çojë kjo galeria? Ka shumë pyetje pa përgjigje. Vazhdoj të eci dhe frymëmarrja më vështirësohet ngaqë ajri po rrallohet gjithnjë e më shumë. Kam ecur gati një të dhjetën e miljes dhe duhet të jem i vëmendshëm. Dëgjoj një zhurmë dhe bie në tokë për t’u mbrojtur. A është zhurma e lakuriqve të vegjël që godasin rreth e rrotull meje? A do të më thithin gjakun? A janë mishngrënës? Për fatin tim të mirë, ata zhduken në hapësirën e madhe të galerisë. Shoh një fytyrë dhe trupi më dridhet. Është fantazmë? Jo. Jo, është prej mishi dhe gjaku dhe po vjen drejt meje, gati për të luftuar. Është një nga ninxhat priftërinj të shpellës. Fillon dyluftimi. Ai është shumë i shpejtë dhe mundohet të më godasë në një vend jetik. Përpiqem t’u shpëtoj sulmeve të tij. Luftoj prapë duke bërë disa lëvizje që i kam mësuar duke parë filma. Strategjia funksionon. Kjo gjë e frikëson dhe ai zmbrapset disi. Sulmon prapë me arte marciale por unë jam i përgatitur për këtë gjë. E qëlloj në kokë me një gur që e mora në shpellë. Ai bie pa ndjenja. Unë jam kundër dhunës por në këtë rast ishte vërtet e nevojshme. Do doja të shkoja në skenarin e dytë dhe të zbuloj sekretet e shpellës. Nis të eci përsëri dhe vazhdoj të jem i vëmendshëm dhe të mbroj veten nga ndonjë kurth i ri. Fryn një erë pak e lagësht dhe unë ndihem më rehat. Ndjej flukset e mendimeve pozitive që dërgon Roja. Shpella bëhet gjithnjë e më e errët, duke marrë një pamje tjetër. Një labirinth virtual e tregon vetë rrugën drejt përpara. Një nga kurthet e tjera të shpellës. Hyrja e labirinthit shihet fare qartë. Po ku është dalja? Si të futem dhe të mos humbas? Kam vetëm një opsion: Ta përshkoj labirinthin dhe të ndërmarr riskun. Marr guximin dhe nis të bëj hapat e parë drejt hyrjes së labirinthit. Lutu, lexues, që unë të gjej daljen. Nuk kam asnjë strategji në mendje. Mendoj se duhet të shfrytëzoj dijet e mia për të dalë nga ky mishmash. Me guxim dhe besim, rrëmoj nëpër labirinth. Duket më i ngatërruar brenda sesa jashtë. Muret janë të gjera dhe harkojnë me zigzage. Nisin të më vijnë nëpër mend momentet në jetë kur isha i humbur tamam si në labirinth. Vdekja e babait, në moshë aq të re, ishte një goditje e madhe në jetën time. Koha që kalova pa punë dhe pa studim më bëri gjithashtu të humbisja sikur të isha në labirinth. Tani u gjenda në po të njëjtën situatë. Vazhdoj të eci dhe duket se nuk ka dalje. A jeni ndjerë ndonjëherë të dëshpëruar? Ja kështu u ndjeva unë, totalisht i dëshpëruar. Ja pse shpella mban emrin shpella e dëshpërimit. Mbledh edhe pikën e fundit të fuqisë dhe ngrihem. Më duhet të gjej rrugëdaljen me çdo kusht. Një mendim i fundit më kaplon; Vështroj lart në tavan dhe shoh shumë lakuriqë nate. Do të ndjek njërin prej tyre. Do ta quaj atë "mjeshtri." Një mjeshtër do ishte në gjendje të mposhte një labirinth. Kjo është ajo që më nevojitet. Lakuriqi i natës fluturon me shumë shpejtësi dhe më duhet të t’i vihem pas. Është mirë që unë ndihem në formë të mirë fizike, pothuaj si një atlet. Shikoj dritën në fund të tunelit, apo akoma më mirë, në fund të labirinthit. Shpëtova.

Dalja e labirinthit më ka vënë para një pamjeje të çuditshme në galerinë e shpellës. Një dhomë e bërë me pasqyra. Eci rreth e rrotull me kujdes nga frika se mos thyej ndonjë gjë. Shikoj shëmbëllimin tim në pasqyrë. Kush jam unë tani? Një ëndërrimtar i ri dhe i shkretë gati në zbulim të fatit të tij. Dukem tepër i shqetësuar. Çfarë do të thotë e gjitha kjo? Muret, tavani, dyshemeja, gjithçka është prej qelqi. Prek sipërfaqen e pasqyrës. Materiali është aq delikat por pasqyron me vërtetësi pamjen e vetes. Në një çast, shfaqen disa imazhe të veçanta në tre nga pasqyrat, një fëmijë, një i ri që mban një arkivol, dhe një plak. Të gjithë ata më paraqesin mua. A është vegim? Me të vërtetë që unë kam karakteristika si të një fëmije si psh, çiltërsia, pafajësia dhe besimi tek njerëzit. Nuk mendoj se më duhet t’i heq qafe këto cilësi që kam. Djali i ri pesëmbëdhjetë vjeç paraqet një fazë të dhimbshme në jetën time: Humbjen e babait. Pavarësisht sjelljeve të tij të rrepta dhe të ftohta, ai ishte babai im. E kujtoj ende me nostalgji. Njeriu i moshuar paraqet të ardhmen time. Si do të jetë ajo? A do jem i suksesshëm? I martuar, beqar apo edhe i ve? Nuk dua të jem një plak i lënduar apo grindavec. Mjaft më me këto imazhe. Kjo është e tanishmja. Unë jam një djalë njëzet e gjashtë vjeç, i diplomuar për Matematikë, shkrimtar. Nuk jam më një fëmijë, as edhe pesëmbëdhjetë vjeçari që humbi babanë. Nuk jam as edhe plak. Kam të ardhmen përpara dhe dua të jem i lumtur. Nuk jam asnjëri prej këtyre tre imazheve. Unë jam vetja ime. Me një goditje, thyhen të treja pasqyrat ku u shfaqën imazhet dhe hapet një derë. Po hyj në skenarin e tretë dhe të fundit.

Hap derën që të çon në një galeri të re. Çfarë më pret në skenarin e tretë? Le të vazhdojmë së bashku, lexues. Nis të eci dhe zemra më rreh shpejt sikur të gjendesha akoma në skenën e parë. Kam kaluar shumë sfida dhe pengesa dhe tashmë e konsideroj veten fitimtar. Në mendjen time, kërkoj kujtimet e së kaluarës kur luaja brenda shpellave të vogla. Situata tani është krejt ndryshe. Shpella është shumë e madhe dhe plot me kurthe. Drita ime e dorës gati mbaroi. Vazhdoj të eci dhe drejt përpara më del një kurth i ri: Dy dyer. "Forcat e kundërta" gërthasin brenda meje. Është e nevojshme të bëj një zgjedhje të re. Më vjen në mendje një nga sfidat, dhe më kujtohet sesi pata guximin ta kaloj. Zgjodha rrugën nga e djathta. Sidoqoftë situata është ndryshe pasi unë gjendem brenda një shpelle të errët, të lagësht. E kam bërë zgjedhjen time por gjithashtu nis të më kujtohen fjalët e rojes që më tha për të mësuarit. Më duhet të njoh të dyja forcat në mënyrë që të kem kontroll total mbi to. Zgjedh derën në të majtë. E hap me ngadalë; gjithë frikë nga ajo çfarë mund të fshihet brenda. Me ta hapur, shoh një vegim: Gjendem brenda një faltoreje, mbushur plot me imazhe shenjtorësh dhe me një kupë mbi altar. A mund të jetë Kupa e Shenjtë, kupa e humbur e Krishtit që i jep rininë e përjetshme atyre që pinë prej saj? Këmbët më dridhen. Në mënyrë impulsive, vrapoj drejt kupës dhe nis të pi prej saj. Vera ka shije parajse, atë të Perëndive. Më merren mendtë, bota rrotullohet, ëngjëjt këndojnë dhe dyshemeja e shpellës dridhet. Kam vegimin e parë: Shoh një Hebre me emrin Jezus, bashkë me apostujt e tij, duke shëruar, çliruar dhe duke u mësuar njerëzve të tij perspektiva të reja. Shoh të gjithë trajektoren e mrekullive dhe dashurisë së tij. Shoh gjithashtu tradhtinë e Judës dhe Djallin që vepron mbrapa shpinës së tij. Dhe në fund, shoh ringjalljen dhe lavdinë e tij. Dëgjoj një zë që më thotë: Bëje lutjen tënde. I mbushur me gëzim thërras: Dua të bëhem Profeti!

Forcat E Kundërta

Подняться наверх