Читать книгу Kryqëzimi Me Nibirun - Danilo Clementoni - Страница 11

Anija kozmike Theos – Super lëngu

Оглавление

Imazhi i objektit që Petri kishte pozicionuar në hapësirën ndërmjet Kodonit dhe Tokës i kishte lënë gojëhapur të dy tokësorët.

«E çfarë do jetë ajo gjëja?» pyeti me kureshti Elisa, ndërsa afrohej në përpjekje për të parë më mirë.

«Nuk i kemi vënë akoma një emër zyrtar.» Petri e solli sërish objektin e çuditshëm në plan të parë dhe, duke vështruar profesoreshën, shtoi «Ndoshta do të mund të zgjidhje ti një.»

«Nëse të paktën do më shpjegoje se çfarë është, mund të bëja edhe një provë.»

«Ka disa kohë që shkencëtarët tanë më të mirë janë duke u angazhuar në këtë projekt.» Petri kryqëzoi duart pas shpine dhe nisi të ecte ngadalë nëpër dhomë. «Kjo pajisje është rezultati i një sërë studimeve që, pjesërisht, shkojnë edhe përtej kompetencave të mia shkencore.»

«Dhe mund t’ju siguroj se janë të konsiderueshme» shtoi Azakisi, duke i dhënë mikut të tij një të rrahur tek supet.

«Shkurtimisht, bëhet fjalë për një lloj sistemi antigravitacional. Bazohet te një parim mbi të cilin, siç po thoja, po studiohet akoma por që mund të provoj ta përmbledh në pak fjalë të thjeshta.»

«Mendoj se do jetë shumë më mirë» komentoi Elisa. «Mos harroni se ne i përkasim një specieje e cila, në krahasim me tuajën, mund të përkufizohet fare mirë si më pak e zhvilluar.»

Petri pohoi lehtazi. U afrua kështu tek paraqitja tredimensionale e objektit të çuditshëm dhe vazhdoi qetë qetë me shpjegimin e tij. «Kjo, që ti më parë e quajte “objekt në formë petulle”, përkufizohet gjeometrikisht si toroid. Unaza rrethore është e zbrazët, ndërsa ajo që thjesht mund ta quanim “vrima qendrore” përmban sistemin e shtytjes dhe të kontrollit.»

«Deri këtu është gjithçka e qartë» foli Elisa gjithnjë e më e interesuar.

«Shumë mirë. Tani të shohim parimin e funksionimit të sistemit.» Petri rrotulloi imazhin e toroidit dhe shfaqi pjesën e brendshme. «Unaza do të mbushet me një gaz, vetëm të një izotopi të Heliumit, që, i ftohur në një temperaturë afër zeros absolute, ndryshon gjendjen dhe shndërrohet në një lëng me karakteristika tepër të veçanta. Praktikisht, viskoziteti i tij bëhet thuajse zero dhe arrin të rrëshqasë pa gjeneruar asnjë fërkim. Këtë karakteristikë ne e quajmë “super-rrjedhshmëri”.»

«Tani po e humbas paksa fillin» tha me trishtim Elisa.

«Për ta bërë më të thjeshtë, ky gaz në gjendje të lëngët, stimuluar në mënyrën e duhur nga struktura e unazës, do të arrijë të lëvizë në brendësi të saj, pa asnjë vështirësi, dhe me një shpejtësi të afërt me atë të dritës, duke arritur ta mbajë për një kohë teorikisht të pakufizuar.»

«E mahnitshme» arriti vetëm të thoshte Xheku, që nuk kishte humbur as edhe një rrokje nga i gjithë shpjegimi.

«Në rregull, tani besoj se e kuptova» shtoi Elisa. «Po si do t’ia bëjë ky mjet që të përballojë efektet e tërheqjes gravitacionale ndërmjet dy planeteve?»

Diskutimi këtu bëhet shumë i komplikuar» iu përgjigj Petri. «Le të themi se, rrotullimi i superlëngut me shpejtësi të afërt me atë të dritës, gjeneron një kurbë të madhësisë së vazhduar kohë- hapësirë rreth vetes, duke shkaktuar një efekt antigravitacional.»

«Djalli ta marrtë» shfryu Elisa. «Profesori im i vjetër i fizikës do të më vijë vërdallë edhe në varr.»

«Dhe jo vetëm ai, e dashur» shtoi koloneli. «Nëse e kuptova mirë se çfarë po mundohen që të na shpjegojnë këta dy zotërinjtë, këtu po flitet për të përmbysur shumë nga teoritë dhe konceptet që disa nga shkencëtarët tanë janë përpjekur të analizojnë dhe studiojnë gjithë jetën. Parimi i antigravitetit u vu në teori më shumë se një herë por kurrë nuk ka arritur njeri që ta demostrojë plotësisht. Përpara nesh» dhe tregoi objektin e çuditshëm «kemi më në fund provën se kjo është vërtet e mundur.»

«Unë do të ecja pak me më shumë kujdes» foli Azakisi, duke e ftohur pakëz euforinë e kolonelit. «E ndjej për detyrë që t’ju informoj se kjo gjë nuk është eksperimentuar asnjëherë mbi objekte të mëdha si planetet, ose më mirë, e kemi provuar dy cikle më përpara po nuk shkoi tamam siç e prisnim. Dhe për më tepër, do mund të verifikoheshin ngjarje që nuk i kishim parashikuar dhe...»

«Je po i njëjti tersndjellës» tha Petri duke i ndërprerë fjalën shokut të tij. «Mekanizmi është treguar më shumë se një herë. Vetë anija jonë kozmike përdor pjesë të këtij parimi për shtytjen e saj. Të përpiqemi të jemi optimistë.»

«Edhe pse nuk më duket se ka alternativa të shumta apo gaboj?» pyeti Elisa me ton zhgënjyes.

«Për fat të keq, mendoj vërtet se jo» foli Petri me keqardhje, ndërsa ulte lehtë kokën. «E vetmja gjë të cilës i druhem në fakt është se, duke parë përmasat e zvogëluara të toroidit tonë, nuk do t’ia dalim të thithim plotësisht gjithë efektet e tërheqjes gravitacionale dhe një pjesë e forcave të rëndesës do të arrijë prapëseprapë që të bëjë punën e vet.»

«Po thua se kjo gjë mund të mos jetë prapë e mjaftueshme për të parandaluar katastrofën?» pyeti Elisa duke iu afruar alienit me një mënyrë të frikshme.

«Ndoshta jo tërësisht» ia ktheu Petri duke bërë një hap të vogël mbrapa. «Nga përllogaritjet që kam bërë, do të thoja se afro dhjetë përqind e grimcave të rëndesës mund t’i shpëtonte këtij lloj kurthi.»

«Domethënë se mund të ishte një mundim i gjithi i çuar dëm?»

«Aspak» iu përgjigj Petri. «Do të pakësojmë efektet e nëntëdhjetë përqindëshit. Do të na mbetet që të merremi me pak gjë.»

«Do ta quajmë “Newark”» tha Elisa e kënaqur. «Tani kemi shumë punë për të bërë. Shtatë ditë kalojnë shumë shpejt.»

Kryqëzimi Me Nibirun

Подняться наверх