Читать книгу Kryqëzimi Me Nibirun - Danilo Clementoni - Страница 13

Anija kozmike Theos – Plani i veprimit

Оглавление

«Nuk është emocionuese që të marrësh vesh se do të jemi ne të dy ata që do shpëtojnë Tokën, i dashur?» foli Elisa dhe i mori dorën kolonelit, ndërsa e vështronte me sytë e një koteleje të dashuruar.

«“I dashur”? Nuk të duket se po vrapon pak si shumë?» e qortoi Xheku me mëdyshje.

Elisa u drodh dhe vetëm kur koloneli i buzëqeshi me ëmbëlsi dhe i ledhatoi një faqe, e kuptoi se ai po bënte shaka me të. «Qelbësirë. Mos më bëj më një shaka të tillë se përndryshe do të ta tregoj unë» dhe nisi ta godiste në kraharor me të dyja duart.

«Qetësohu, qetësohu» i pëshpëriti Xheku ndërkohë që e shtrëngonte me ëmbëlsi pas vetes. «Në rregull, ishte një lojë idiote. Nuk do ta bëj më.»

Ai përqafim i papritur pati mbi profesoreshën një efekt qetësues dhe çlodhës. Ndjeu gjithë tensionin e akumuluar deri në atë moment që t’i shkrihej si dëbora në diell. Pas gjithë asaj që kishte ndodhur orët e fundit, ishte tamam ajo çka kishte nevojë. Vendosi që të lëshohej në mes të krahëve të tij dhe, duke mbyllur ngadalë sytë, mbështeti kokën në kraharorin e tij të bëshëm dhe e la veten të humbiste krejtësisht.

Azakisi, ndërkohë, kishte futur H^COM-in në atë kabinën e tij tmerrësisht shumë të ngushtë dhe po priste që, nga dylbia holografike e vendosur përpara, të mbërrinte përgjigja ndaj kërkesës për komunikim.

Mbi ekran, duke filluar nga qendra, një seri valësh shumëngjyrëshe po krijonin një efekt të ngjashëm me atë të një guri të hedhur në ujërat e qeta të një pellgu. Për një çast, dalngadalë, valët filluan të largoheshin duke ia lënë vendin fytyrës së rrudhur dhe të rrahur nga vitet të eprorit të tij I Moshuari.

«Azakis» i foli burri duke buzëqeshur lehtë, ndërkohë që ngrinte ngadalë dorën kockore në shenjë përshëndetjeje. «Çfarë mund të bëjë ky plak i shkretë për ty?»

«Ia treguam të vërtetën dy tokësorëve.»

«Veprim i guximshëm» komentoi I Moshuari, duke shtrënguar mjekrën mes gishtit të madh dhe atij tregues të dorës. «Dhe si e morën?»

«Le të themi se, pas habitjes së fillimit që ishte e natyrshme, më duket se kanë reaguar mjaft mirë.» Azakisi bëri një pauzë të shkurtër pastaj tha me një ton shumë serioz «I kemi propozuar që të përdorin toroidin për superlëngun.»

«Toroidin?» thirri interlokutori duke u ngritur në këmbë me një kërcim që do ta kishte zili edhe një fëmijë. «Por akoma nuk është testuar plotësisht. E mban mend se çfarë ndodhi herën e fundit, apo jo? Me atë mjet do të mund të krijojmë një luhatje gravitacionale të pakontrolluar dhe pastaj ekziston edhe rreziku i krijimit të një mini vrime të zezë.»

«E di, e di shumë mirë» ia ktheu Azakisi shkurtimisht. «Por nuk besoj se ka alternativa. Këtë herë, nëse nuk përdorim mjete drastike, kalimi i Kodonit, do mund të jetë fatal për tokësorët.»

«Cili është plani yt?»

«Kryqëzimi i orbitave të dy planeteve është përllogaritur të ndodhë në më pak se shtatë ditë. Do duhet që të përgatisni toroidin dhe të ma sillni këtu një ditë para.»

«Nuk ka shumë kohë, e di ti.»

«Duhet të më lësh pak kohë për pozicionimin, konfigurimin dhe proçedurën e aktivizimit.»

«Kam një parandjenjë të keqe» tha I Moshuari ndërkohë që kalonte njërën dorë midis flokëve të zbardhur.

«Petrin e kam me vete. Do të shkojë gjithçka mirë.»

«Jeni dy djem të zotë, nuk kam asnjë dyshim por bëni shumë kujdes. Ai mjet mund të shndërrohet në një armë vdekjeprurëse.»

«Përpiqu që të arrish ta kesh në kohë, për të tjerat kujdesemi ne. Mos u bëj merak.»

«Në rregull. Do të lidhem përsëri sapo të jetë gjithçka gati. Paçi fat.»

Fytyra e eprorit të tij u zhduk nga ekrani që filloi sërish të shfaqte po ato valët shumëngjyrëshe të mëparshme.

Azakisi u ngrit ngadalë nga kolltuku i parehatshëm dhe ngeli për pak me duart e mbështetura mbi sipërfaqen e panelit të vogël. Mijëra mendime i vërtiteshin në kokë dhe, ndërkohë që një drithërimë e lehtë i përshkonte shpinën, pati ndjesinë e qartë se kishin për t’u futur në një det me telashe.

«Zak» i thirri me gjallëri shoku i tij i aventurës kur e pa të shfaqej në kabinën H^COM. «Çfarë thotë plaku?»

Azakisi u shtriq pak dhe pastaj tha qetë qetë «Na dha aprovimin. Nëse gjithçka duhet të shkojë siç u planifikua, do ta kemi toroidin, ose më mirë Newarkun, një ditë përpara kryqëzimit.»

«Të shpresojmë që do ia dalim mbanë. Nuk do të jetë e lehtë të konfigurojmë atë mjet në kaq pak kohë.»

«Për çfarë bëhesh merak o miku im?» ia ktheu Azakisi duke vënë lehtë buzën në gaz. «Në supozimin më të keq do të hapim një shtrembërim kohë-hapësirë që do të thithë Tokën, Kodonin, Nibirun dhe gjithë satelitët e tjerë me vetëm një goditje.»

Dy tokësorët, që po rrinin pakëz mënjanë por që nuk u kishte shpëtuar as edhe një fjalë nga biseda, ndenjën si të ngurtësuar.

«Po çfarë po thua?» arriti vetëm të murmuriste nëpër dhëmbë Elisa ndërsa e shihte e shtangur. «Shtrembërim kohë-hapësirë? Thithje? Do doje të thoje se, nëse ky plan nuk do duhet të funksionojë, do të jemi shkaktarët e shfarosjes së popullit tonë dhe tuajit?»

«Bah, ekziston një rrezik minimal» komentoi me qetësi Azakisi.

«Një “rrezik minimal”? Dhe na e thua kështu, me këtë pamje të qetë e të kthjellët të shfaqur në fytyrë? Duhet të jesh i marrë dhe ne më shumë se ty.»

«Qetësohu zemër» ndërhyri Xheku duke e kapur nga supet dhe vështruar drejt e në sy. «Janë shumë më të zotë dhe të përgatitur se ne dhe nëse kanë vendosur të ndjekin këtë rrugë, nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse t’i shoqërojmë dhe t’u japim të gjithë ndihmën e mundshme.»

Profesoresha mori frymë thellë dhe pastaj tha «Duhet të ulem. Shumë emocione sot. Nëse vazhdon kështu do të lë pendët.»

Xheku e mori nën përqafim dhe e shoqëroi tek kolltuku që ishte më afër. Elisa, duke nxjerrë një rënkim të lehtë, iu hodh mbi sipër me tërë peshën e vet.

«Ndoshta e kemi ulur pak si shumë përqindjen e oksigjenit në ajër» i përshpëriti Azakisi shokut të vet.

«U përpoqa që ta bëja sa më të përshtatshme për të gjithë ne dhe të evitoja përdorimin e atyre respiratorëve të shëmtuar.»

«E di miku im, por druaj se ata po e ndjejnë sërish në mënyrë të tepruar.»

«Në rregull, po marr masa që të ndryshohet përzierja. Ne mund të përshtatemi shumë më lehtë.»

Por koloneli, dukej se nuk ia ndjente aspak dhe ishte më i gjallë se kurrë ndonjëherë. Veprimi dhe rreziku ishin buka e tij e përditshme dhe në situata të tilla ndihej jashtëzakonisht rehat. «Mirë» tha ai, ndërkohë që qëndronte pikërisht nën pamjen tredimensionale të Newark-ut, i cili ende spikaste me madhështi në mes të dhomës. «Kjo punë mund të na shpëtojë të gjithëve ose të na çojë në një shkatërrim të plotë.»

«Analizë konçize por efikase» komentoi Azakisi.

«Në këtë pikë» foli koloneli me ton serioz dhe zë të thellë «mendoj se ka ardhur momenti për të paralajmëruar pjesën tjetër të planetit për katastrofën e madhe që mund të vijë.»

«E si mendon që ta bësh?» pyeti Elisa nga kolltuku i saj. «Ngrejmë telefonin, marrim presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe i themi: “Mirëdita president. A e dini se jemi nën shoqërinë e dy alienëve të cilët na kanë thënë se, pas pak ditësh, do të mbërrijë një planet që do të na copëtojë të gjithëve?”»

«Më e pakta që do ngjasë është që do të hyjë në gjurmë të telefonatës, do vijë të na marrë dhe do na çojë në psikiatri» ia ktheu Xheku duke vënë buzën në gaz.

«Po nuk keni një sistem të komunikimit global si është Rete-ja jonë?» e pyeti kolonelin Petri me kureshtje.

«Rete? Çfarë do të thuash?»

«Është një sistem i ndërlidhjes së përgjithshme në gjendje për të memorizuar dhe shpërndarë Dijen në nivel planetar. Ne të gjithë mund të futemi, me nivele thellësie të ndryshme, nëpërmjet një sistemi nervor N^COM i cili, që në lindje, instalohet drejt e në tru.»

«Fantastike fare» foli Elisa e habitur, pastaj vazhdoi të thoshte «në të vërtetë, edhe ne kemi një sistem të këtij lloji. E quajmë internet por që natyrisht nuk kemi arritur në nivelin tuaj.»

«Dhe nuk do ishte e mundur të përdorej “interneti” juaj për të dërguar një mesazh në gjithë planetin?» pyeti Petri me kureshtje.

«Bah, nuk është aq e thjeshtë» ia ktheu Elisa. «Do mund të vëmë informacione në sistem, të dërgojmë mesazhe grupeve të njerëzve, madje edhe të bëjmë një filmim dhe të përpiqemi ta mbrojmë sa më shumë që të jetë e mundur, por nuk do na besonte njeri dhe pastaj me siguri që nuk do të mbërrinte te asnjeri.» U mendua për ca sekonda, pastaj shtoi «Sistemi i vetëm mendoj se është akoma televizioni i dashur dhe i vjetër.»

«Televizioni?» pyeti Azakisi. Pastaj, i kthyer nga Petri, tha «A nuk do ishte ai sistemi që, si rastësisht, përdorëm për të marrë imazhet dhe filmimet ndërkohë që ishim duke ardhur për këtu?»

«Mendoj se po, Zak» dhe u shprehur kështu, iu vu punës për t’u marrë me një varg komandash në panelin qendror. Pas pak sekondash, shfaqi mbi ekranin gjigand disa nga sekuencat që i kishte regjistruar më parë. «Po flisnit për këto? »

Një numër i madh filmimesh të të gjitha llojeve nisën të shfaqeshin një pas një me shpejtësi: spote publicitare, lajme televizive, ndeshje futbolli madje edhe një film i vjetër bardh e zi me Haumphrey Bogart.

«Po ajo është Kasablanca» foli Elisa me habi. «Po ku e morët gjithë këtë material?»

«Transmetimet tuaja përhapen edhe në kozmos» iu përgjigj Petri qetë qetë. «Na u desh të punonim pak mbi sistemin tonë të marrjes por, në fund, i kapëm.»

«Dhe falë atyre» shtoi Azakisi «ne arritëm të mësonim gjuhën tuaj.»

«Edhe ndonjë tjetër padyshim më të komplikuar» komentoi me trishtim Petri. «Jam bërë gati si i marrë me gjithë ato shenja vizatimesh.»

«Sidoqoftë» ndërhyri koloneli duke i rënë shkurt «është pikërisht ajo për të cilën po flisnim, por besoj se as kjo nuk është zgjidhja më e mirë.»

«Më fal Xhek» ndërhyri Elisa. «Nuk mendon se është rasti për të njoftuar, para së gjithash, eprorët e tu në ELSAD? Fundja, nëse nuk e kam kuptuar keq, në krye të kësaj organizate është pikërisht presidenti i Shteteve të Bashkuara, apo e kam gabim?»

«E ti si i di gjithë këto gjëra?» e kundërshtoi koloneli me habi.

«Eeh, edhe unë kam burimet e mia» tha Elisa duke shmangur, me gjest të shkujdesur, një tufë flokësh që i binte mbi faqen e djathtë.

«Kështu bëjnë gratë edhe nga ju?» pyeti Xheku, i drejtuar nga të dy alienët, që po vështronin skenën me një pamje të habitur.

«Gratë janë njëlloj kudo në gjithë universin, i dashur» iu përgjigj Azakisi duke vënë buzën në gaz.

«Sidoqoftë» vazhdoi koloneli pas batutës me spec «mendoj se ti ke plotësisht të drejtë. Duhet një institucion serioz dhe me kredibilitet për të përhapur një lajm kaq të rëndë dhe tronditës. Jam vetëm pak i merakosur përsa i përket infiltrimeve të jashtme që kanë përfshirë gjeneralin Kembëll dhe dy tipat që na sulmuan. Në fakt, ishte tamam gjenerali eprori im direkt po, siç shihet, duket se është një i korruptuar dhe tradhtar.»

«Kështu që si përfundim, telefonata për të cilën po flisnim më parë do të duhet që ta bëjmë vërtet?» ia ktheu profesoresha.

«Edhe pse duket absurde, ndoshta është tamam zgjidhja e vetme.»

Kryqëzimi Me Nibirun

Подняться наверх