Читать книгу Kryqëzimi Me Nibirun - Danilo Clementoni - Страница 14

Nju Jork – Ishulli i Manhattanit

Оглавление

Në një zyrë luksoze në katin e tridhjetenëntë të grataçelës madhështore që gjendej midis 5th Avenue dhe 59th Street të Manhattanit në Nju Jork, një burrë jo shumë i gjatë, me një pamje elegante dhe të mbajtur mirë, po rrinte përpara një prej pesë dritareve të mëdha që e ndanin nnga ambjenti i jashtëm. Kishte të veshur një kostum gri të errët, me siguri italian, një kravatë të kuqe që binte shumë në sy dhe kishte flokë të lëmuar dhe me thinja të krehur nga mbrapa. Sytë e tij të zinj dhe të thellë zhbirilonin përtej xhamit, në drejtim të Central Park-ut të mrekullueshëm që, duke filluar praktikisht nën këmbët e tij, shtrihej me një gjatësi prej katër kilometra dhe gjerësi prej tetëqind metra, duke përbërë një ishull të gjelbër shumë të çmuar, burim oksigjeni dhe çlodhjeje, për gati dy milionë banorë të ishullit.

«Zoti senator, mundem?» foli një burrë shtatshkurtër dhe me një fytyrë jo shprehëse ndërkohë që trokiste me ndrojtje në portën elegante hyrëse prej druri me llak të errët. Anash, një pllakatë e vogël në ngjyrë ari me shkronja dore të zeza paraqiste mbishkrimin “Senatori Xhonatan Preston”.

«Çfarë ka?» iu përgjigj burri pa u kthyer fare.

«Një komunikim video e inkriptuar është në pritje për ju.»

«Në rregull, do ta marr që këtu. Mbylleni portën kur të dilni.»

Burri u drejtua me ngadalë nga tryeza elegante e punës në ngjyrë të errët dhe u ul mbi kolltukun e butë me lëkurë të zezë. Me një gjest të vetvetishëm rregulloi nyjen e kravatës, futi kufjen në veshin e djathtë dhe shtypi një buton të vogël gri i vendosur nën tavolinën e punës. Një ekran i madh gjysëm i tejdukshëm, me një zhurmë të lehtë, filloi të zbriste nga tavani derisa u mbështet butësisht në sipërfaqen e tryezës së punës. Burri preku lehtë ekranin dhe fytyra e madhe e gjeneralit Kembëll doli mu përpara tij.

«Gjeneral, po vërej me kënaqësi se nuk gjendeni më në burg.»

«Si jeni, senator? Para së gjithash doja t’ju falenderoja për operacionin e shpejtë dhe efikas të shpëtimit.»

«Besoj se e gjithë merita është e dy personave që i shoh prapa kurrizit tënd.»

Gjenerali u kthye instiktivisht dhe pa trashaluqin së bashku me shokun e vet, që po përpiqeshin të bënin poza në webkamerën siç bën përherë publiku që ngjeshet mbrapa një gazetari që po bën ndërkohë një kronikë direkte televizive. Tundi supet dhe vazhdoi të thoshte «Nuk janë dhelpra por për kësi lloj punësh janë me të vërtetë efiçentë.»

«Mirë. Por tani më tregoni gjithçka. Raporti juaj duhet të kishte ardhur mbi dymbëdhjetë orë përpara.»

«Le të themi se, kohët e fundit, kam qenë pak “i angazhuar”» ia ktheu me ironi gjenerali. «Sidoqoftë, mund t’ju konfirmoj se intuita juaj mbi punën e profesoreshës Hanter ishte plotësisht e saktë dhe se, në sajë të zbulimit të saj, munda që të asistoj personalisht në një ngjarje që është pak për të thënë e jashtëzakonshme.»

Gjenerali bëri një pauzë të shkurtër me qëllim që të rriste edhe pak kureshtjen e interlokutorit të tij, dhe pastaj shtoi «Senator, nuk e di se si mund të ketë ndodhur, por gjetja nga ana e profesoreshës sonë të të famshmes “vazo me përmbajtjen e çmuar”, në njëfarë mënyre duhet të ketë aktivizuar një sistem që i ka risjellë planetit tonë jo më pak se...» U ndal dhe, i vetëdijshëm që fjalia që po bëhej gati të thoshte do të ishte pakëz e vështirë për t’u kapërdirë, mori frymë thellë pastaj, pa asnjë hezitim më tej, foli solemnisht «një anije kozmike aliene.»

Zyrtari u përpoq të mbante vështrimin drejt e tek ekrani, në kërkim të çfarëdolloj shenje habie në fytyrën e senatorit i cili në kundërshti, nuk lëvizi as qerpikun. U mjaftua vetëm me mbështetjen e bërrylit në tryezën e punës në ngjyrë të errët ndërkohë që, duke marrë mjekrën mes dy gishtave të parë të dorës, nisi ta kruante me butësi. Vazhdoi ta bënte këtë veprim edhe për ca sekonda, pastaj tha shumë thjesht «Dhe kështu, u kthyen.»

Gjenerali nuk mundi dot të mos zgurdullonte sytë nga habia e madhe.

Prestoni dinte gjithçka që më parë mbi alienët... Si ishte e mundur?

Senatori u ngrit ngadalë nga kolltuku i rehatshëm dhe, duke mbajtur duart të kryqëzuara pas shpinës, filloi të ecte në formë rrethore përqark tryezës së punës. Gjenerali dhe dy bashkëpunëtorët që kishte prapa kurrizit nuk guxuan të shtonin as edhe një fjalë të vetme. U mjaftuan me një shkëmbim të vështrimeve ngurruese, duke qëndruar me durim në pritje.

Papritmas, Prestoni u kthye tek tryeza e punës, i mbështeti sipër të dyja duart dhe, duke vështruar gjeneralin drejt e në sy, tha «Keni një dron me vete. Më thoni nëse arritët të bënit një filmim të anijes kozmike.»

Gjenerali u kthye në kërkim të dëshpëruar të një përgjigje pozitive nga ana e atyre të dyve që po rrinin mbrapa tij. Ai më i holli bëri një shenjë nënkuptuese me një buzagaz, mori fjalën dhe, me gjoksin e fryrë nga krenaria, pohoi i kënaqur «Sigurisht senator, edhe më shumë se një. Po jua dërgoj menjëherë.»

Pa shumë komplimenta, shtyu pak mënjanë gjeneralin dhe, pasi u mor ca me tastierën që kishte përpara vetes, nxori në një anë të ekranit të senatorit, fotot e bëra në kampin e profesoreshës Hanter.

Prestoni drejtoi të dy bërrylat mbi tryezën e punës, mbështeti mjekrën tek duart e mbyllura grusht dhe iu afrua ekranit sa të mundej për të mos humbur as edhe një fotogramë nga ato që po kalonte përpara. Në fillim imazhet gjatë natës të enës prej guri që ishte gjetur e groposur nën tokë, pastaj ato të sferës misterioze brenda saj dhe transporti i saj në tendën e laboratorit. Në fund skenari ndryshoi. Ishte ditë e gjitha. Me sa dukej i vendosur mbi katër tufat e kuqërremta të dritës që vinin nga këndet e një katrori imagjinar i vizatuar mbi sipërfaqen e tokës, një strukturë rrethore ngjyrë argjendi dukej fare mirë dhe qartë. E gjitha dukej si një lloj trungu piramide e cila ngjasonte çuditërisht me Ziqquratin e Urit që shihej madhështor në sfond.

Senatori nuk arrinte dot t’i hiqte sytë nga ekrani. Kur pa dy figurat, me pamjen e njeriut por padyshim pak më të gjatë dhe trupmëdhenj nga mesatarja, tek dilnin nga e çara e strukturës në ngjyrë argjendi dhe shkelën me këmbët e tyre të mëdha mbi atë që duhej të ishte platforma e zbritjes, nuk mundi të rrinte pa bërë një murmurimë dhe ndjeu zemrën t’i shkonte lart gjer në grykë.

Ëndrra që e kishte ndjekur pas gjithë jetën ishtë bërë e vërtetë. Të gjitha studimet e tij, kërkimet e tij dhe, mbi të gjitha, kapitalet e konsiderueshme që kishte investuar në atë projekt më në fund po jepnin rezultatet e shpresuara. Ata që po shihte në ekran ishin me të vërtetë dy alienë të cilët, në bordin e anijes së tyre kozmike tepër të avancuar, kishin përshkuar mes për mes të gjithë hapësirën ndërplanetare për t’u kthyer sërish në Tokë. Tani do të kishte mundësi t’ua përplaste në fytyrë të gjithë atyre që e kishin kritikuar dhe t’u thoshte se përllogaritjet e tij ishte absolutisht të sakta. Planeti misterioz i dymbëdhjeti në sistemin diellor ekzistonte vërtet. Orbita e tij, pas 3.600 vitesh, po kryqëzohej përsëri me atë të Tokës dhe para tij ishin dy nga banorët e tij të cilët, duke përfituar nga “kalimi” i planetit, ishin kthyer për të na vizituar dhe për të na ndikuar përsëri në kulturën tonë dhe jetët tona. Tashmë kishte ndodhur kushedi sa e sa herë të tjera në harkun e mijëvjeçarëve dhe tani historia po përsëritej. Por këtë herë, ishte edhe ai vetë dhe natyrisht nuk do linte t’i ikte ky rast fatlum.

«Punë e shkëlqyer» u shpreh thjesht senatori i drejtuar nga ata të tre që po e vështronin me ankth nga ekrani. Pastaj, pasi kishte bërë një rrotullim të plotë në kolltukun ku ishte ulur, shtoi «Fakti është se ju, gjeneral, përderisa jeni zbuluar, ky fakt do t’i komplikojë pak gjërat. Nuk do të kemi më mundësinë e të pasurit të një “veshi” prej autoriteti brenda ELSAD-it por, në këtë pikë, nuk na intereson më.»

«Çfarë kërkon të thuash, senator?»

«Tani objektivi ynë nuk është më të zbulojmë nëse supozimet e profesoreshës Hanter ishin të sakta ose dhe më pak, as të fusim në dorë “enën e çmuar”.»

«Edhe sepse, gjithçka ishte përveç se e çmuar» pëshpëriti trashaluqi.

«Mund të kalojmë direkt e në fazën e dytë» vazhdoi senatori, duke bërë gjoja sikur nuk e kishte dëgjuar. «Kemi përpara një teknologji jashtëzakonisht të avancuar dhe do të na e servirin në një pjatë të argjendtë. E gjitha ajo çka duhet të bëjmë është thjesht ta marrim para se të mbërrijë dikush tjetër para nesh.»

«Më lejoni, senator» guxoi t’i përgjigjej gjenerali me ndrojtje. «dy ndihmësit e mi kanë pasur mënyrën për të provuar se, të dy alienët tanë simpatikë, nuk duket se janë kaq të disponueshëm për të bashkëpunuar.»

«Le të themi se na kanë mbytur me shpulla» shtoi trashaluqi, ndërkohë që bënte një gjest duke masazhuar gjurin.

«Mund ta marr me mend llojin e qasjes që keni përdorur» ia ktheu senatori duke bërë një shenjë nënkuptuese prej buzagazi të lehtë. «A keni pyetur veten se si janë lidhur aq përzemërsisht me profesoreshën dhe kolonelin Hadson? »

«Me thënë të drejtën na është dukur një gjë vërtet e çuditshme» iu përgjigj gjenerali. «janë sjellë me ta sikur të kishin një jetë që njiheshin bashkë.»

«Ndërsa unë mendoj së thjesht janë treguar më të përzemërt dhe më të sjellshëm nga ju.»

«Bah, në fakt, nuk është se kemi shkuar tamam urtë e butë.»

«Ajo që ka ndodhur ka ndodhur» foli senatori si konkluzion. «tani përqendrohuni tek misioni në vazhdim. Ju të dy, gjeni ku janë koloneli dhe mikesha e tij. Dua që të mos i humbni nga sytë as edhe një çast. Do të keni mjete dhe burime në dispozicion. Kësaj here nuk do të pranoj gabime.»

«Po tani kush t’ia thotë se ata të dy po bëjnë një shëtitje të vockël rreth e rrotull Tokës?» i pëshpëriti trashaluqi në vesh atij të hollit një çast para se të lëshonte një ofshamë të shurdhët shkaktuar nga gjuajtja që i kishte dhënë shoku i tij në kërcin e këmbës së majtë.

«Ndërsa ju gjeneral, do të vij e t’ju marr në aeroport.»

«Do të vini këtu personalisht?» foli ushtaraku i habitur.

«Nuk do ta humbisja këtë ngjarje për asgjë në botë. Nëse ajo është baza ku ata zbresin, aty do të duhet që edhe të kthehen, por kësaj radhe do të përgatisim një grup të mirë për t’i mirëpritur. Do t’ju jap udhëzime gjatë rrugës. Punë të mbarë të gjithëve» dhe e mbylli këtu bisedën.

Senatori qëndroi për pak çaste duke kqyrur ekranin përpara që, pas përfundimit të transmetimit, po shfaqte tashmë një seri imazhesh spektakolare nga shkretëtira e Arizonës që pasonin gradualisht njëra pas tjetrës. Pastaj, sikur diçka ta kishte zgjuar papritmas nga gjumi, kërceu në këmbë, shtypi butonin e komunikuesit që kishte mbi tryezë dhe foli ftohtë në mikrofonin e inkorporuar «Më përgatisni avionin dhe më thërrisni shoferin tim. Dua të jem në fluturim maksimumi brenda një ore.»

Kryqëzimi Me Nibirun

Подняться наверх