Читать книгу Pikëll Paj - George Saoulidis - Страница 6
ОглавлениеPJESA E PARË
Peti mori një goditje, dhe trupi iu paralizua krejt.
Ajo e kishte zët kur goditej, dhe ajo shpatë e gjatë budallaqe nuk e mbrojti aspak. Preferonte shpatë dhe mburojë, të kishte diçka që t’i bllokonte goditjet, diçka që t’i mbulonte trupin. Por traineri torollak e detyroi atë të përdorte këtë armë të padobishme.
“Një nga Vajzat e Hijshme rrëzohet poshtë, dhe me sa duket kështu do shkojë dhe për të tjerat,” u shpreh komentatori.
Kundërshtarja që e goditi me shpatën e saj të gjatë, Ekidna e quajnë, vazhdoi të godasë edhe një shoqe tjetër, dhe pastaj Kuik-un e saj. Oh, ajo e bllokoi fare mirë, me të dyja krahët bashkë që mbuluan trupin, por forca e goditjes e bëri të kërcente mbrapa, dhe i hapi rrugën një lojtareje të re, Hidrës. Hidra ishtë një Zinxhir dhe mund të arrinte shumë, kështu që gjithçka që i duhej ishte thjesht një nisje. Ajo nisi të luante, me cyber-krahun e saj, një tufë gjarpërinjsh që i përdridheshin anash, duke u shtrirë si kamzhik e duke kërcitur nofullat.
Edhe Kuiku, u rrëzua poshtë, e gjakosur. E paralizuar, ajo u ul në gjunjë mbi një pellg gjaku ngjyrë rozë që po zmadhohej gjithnjë e më tepër, nga viçi i saj i kafshuar.
Peti e kishte kokën në një kënd të pavolitshëm, dhe gjithçka që mund të bënte ishte të kthente sytë nga dyluftimi. Bishat vazhduan me pjesën tjetër të grupit, me daullen që binte ngadalë, shumë ngadalë.
Bisha Kuik, një grua e zhdërvjellët, dhe e imët e quajtur Gorgon, kishte kafkën dhe po luante për të, duke rendur të shënonte.
“Edhe Bisha Kuik po luan për kafkën e fundit. Ja ku po vrapon, sikur më shumë po shëtit, ndërkohë që ndeshja është shumë afër fundit. E përfunduar, si rifinitura Anglet për drurin, llaku më i mirë që mund të blihet me para.”
Daullja bie, është e fundit herë.
Peti pati prapë një ndjesi në gjithë trupin, gishtat e dorës dhe të këmbës iu drodhën, por nuk kishte më kohë të merrte veten. Lëvizi beftas drejt Kuikut, shmangu një gjarpër që po i turrej, avancoi ato pak metrat e fundit duke vënë gjunjët në tokë dhe goditi Gorgon në këmbë. Ajo ra në gjunjë dhe e la kafkën t’i binte poshtë, duke e shkelmuar tutje padashur.
Ekidna i dha një lumë goditjesh me shpatën e saj të gjatë. Peti mezi arriti të mbrohej me shpatë, dhe dëgjoi daullen të binte sërish.
Gorgon gati po e merrte veten. Peti bëri një lëvizje simuluese, që nëse do qe e suksesshme, do i jepte asaj një copëz mundësi.
Ekidna u gënjye nga kjo. Lëvizi mbrapa për të shmangur goditjen. Peti nxori shpatën dhe në vend ta sulmonte, e goditi prapë armiken Kuik, këtë herë në qafë.
Lëvizja e saj qe aq e shpejtë saqë e goditi atë me shumë forcë.
Diçka kërciti.
“Oh, çfarë goditje nga Peti Ru! A po luante ajo për këtë? Sepse nëse po luante, ishte vërtet një goditje e hidhur.”
Gorgon nuk luajti prapë nga vendi. Vetë Kuiku i Petit e mori veten, dhe duke ecur çalë çalë, luajti për kafkën. Mbrapa saj një vijë ngjyrë rozë.
“Dhe ne kemi Kuik-in e Vajzave të Hijshme që ende po vazhdon, ajo tani nuk dorëzohet, apo s’është kështu?”
“Epo, fundja është ndeshja vendimtare për raundin paraprak të turneut. Vajzat po japin maksimumin e tyre,” tha komentatori i dytë.
Peti vendosi trupin në vendin ku gjendej kundërshtarja. “Pa mburojë, ta marrë dreqi,” foli ajo duke gulçuar. Bëri çmos ta mbulonte Kuikun e saj.
Ekidna bëri përpara, lëvizja e saj qe një goditje e beftë dhe tepër e shpejtë, me shpatën drejt e tek brinjët e Kuikut. Ajo u ndal dhe ra në gjunjë, këtë herë nga dhimbja si edhe nga ngrirja në vend.
Mori fund.
Peti hodhi një sy të shpejtë mbrapa tek shoqja e saj e grupit. Ajo nuk po ngrihej më sërish, pavarësisht se sa rezerva gjaku mund të merrte për t’u ringritur.
E shpërqendruar, Ekidna e goditi atë në kraharor.
Kërcitje.
Një tjetër goditje në krah.
“Faull! Arbitrit po i ikte mendja nga kjo gjë, por Ekidna me sa dukej nuk donte fare t’ia dinte.”
Një tjetër goditje në fytyrë. Peti pështyu gjak me ngjyrë rozë, buzët mezi ishin në gjendje të lëviznin nga paraliza.
“Çfarë fundi të dhënë nga Ekidna! Ndeshja e përfunduar për Bishat, por vërtet me një çmim të shtrenjtë. Mjekët por nxitojnë pikërisht në këtë moment, dhe gjendja nuk është e mirë për Kuikun e Bishave. Daullet pushojnë së rëni dhe Gorgon ende nuk po lëviz, o njerëz. Së shpejti në turne mund të kemi viktima.“
Peti, e ngurosur, vështroi mjekët si në ëndërr. Ata e lidhën Gorgon me rrip në qafë, e ngritën me një barrelë, dhe e larguan prej andej.
Një curril gjaku ngjyrë rozë po i rridhte anash gojës.
Një Bishë, me siguri. Armiku, me siguri. Por ajo kurrë nuk kishte për qëllim të dëmtonte ndokënd.
“Dhe nga kqyrjet tona paraprake, ajo do t’ia dalë, o njerëz! Thjesht një dëmtim i shtyllës kurrizore. Me shumë gjasa Gorgon ka dalë jashtë lojës, përgjithmonë. Një nga kuikët më të shpejtë që është parë në Cyberpink, që gjatë gjithë jetës ka marrë një rezultat prej 452 kafka. A do ta marrin veten Bishat nga kjo goditje e rëndë në fillim fare të turneut?”
Një rënkim erdhi nga stolat përreth stadiumit. Fishkëllima jo aprovuese për Peti Ru. Shumë e shumë fishkëllima.
Petin e lanë gjunjët, adrenalina i shteroi nga trupi, rezervat bënë të tyren dhe u duk qartë se po i shpëtonte shurra. Kishin humbur.
Ajo pa mjekët mbi kokën e saj dhe pastaj gjithçka iu errësua.